Alibeaj mbledh në Kryesinë e Kuvendit tryezë për Lustracionin, ‘spiunët’ jashtë zgjedhjeve

TIRANE- Deputeti Enkelejd Alibeaj mblodhi paraditen e të mërkurës një tryezë diskutimi në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ku u diskutua projektligji i grupit të deputetëve që drejtohen prej tij për lustracionin. Të pranishëm në këtë tryezë ishin emra pranë grupit të PD, përfshirë edhe kreun e Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, Nebil çika. Çika tha se ky ligj ndan Shqipërinë nga e shkuara. “Komunistët” dominojnë ende jetën tonë. Ka ardhur koha që të shkëputemi nga komunizmi. Lustracioni ndan Shqipërinë nga e keqja. Partia e Punës është organizata me kriminale”, tha ai.

Në relacionin e dorëzuar nga Alibeaj theksohet se bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit nuk mund të zgjidhen apo garojnë për poste publike. Ndalimi bëhet edhe për këshillat bashkiakë, në një kohë kur zgjedhjet lokale janë vetëm 2 muaj larg. Projektligji do të gjejë mbështetjen edhe të socialistëve, pasi kryeministri Edi Rama tha sot se “PS do të marrë masa për spiunët”.

Pjesë nga projektligji i Aliebeajt:

Neni 1
Qëllimi dhe objekti

1. Qëllimi i këtij ligji është të garantojë pastërtinë e figurës së organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet ndalimit të zgjedhjes ose emërimit, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët rezultojnë pjesëmarrës në strukturat e regjimit totalitar komunist në periudhën 29 nëntor 1944 deri më datë 31 mars 1991, si dhe në strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit deri më 2 korrik 1991.
2. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i subjekteve dhe funksioneve të larta shtetërore, të cilat janë të papajtueshme me veprimtarinë publike të zyrtarit, për shkak të qënies anëtar, drejtues apo bashkëpunëtor i strukturave të larta drejtuese të regjimit totalitar komunist dhe ish-Sigurimit të Shtetit, organi kompetent për kryerjen e verifikimit, procedurat e verifikimit dhe pasojat e këtyre procedurave.

Neni 2
Parime të përgjithshme

1. Veprimtaria e organeve shtetërore për verifikimin e pastërtisë së figurës dhe dhënies së sanksioneve udhëhiqet nga parimet e ligjshmërisë, procesit të rregullt ligjor dhe të drejtës së informimit.
2. Organet shtetërore veprojnë në mënyrën që i shërben më mirë ndërgjegjësimit publik për historinë e regjimit totalitar komunist dhe realizimit të paqes sociale.
3. Në ushtrimin e funksioneve të tyre sipas këtij ligji, organet shtetërore respektojnë dhe garantojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, sidomos dinjitetin njerëzor.

Neni 3
Ndalimi për kandidim, zgjedhje dhe emërim në një funksion të lartë publik

1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në cdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët, në periudhën e përcaktuar në pikën 1 të nenit 1, figurojnë si:
a) anëtar ose kandidat të Byrosë Politike;
b) anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë;
c) anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor;
ç) anëtar i Këshillit të Ministrave dhe zevendësministra;
d) kryetar i degës së punëve të brendshme;
dh) anëtar i Komisionit Qëndror të Dëbim Internimeve;
e) kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme;
ë) hetues, prokuror ose ndihmësprokuror, gjyqtar ose ndihmësgjyqtar, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar;
f) anëtarë dhe bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit në kuptimin e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
2. Ndalimet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, zbatohen edhe për personat, të cilët kërkojnë të zgjidhen apo emërohen në funksionet publike si më poshtë:
a) President i Republikës;
b) Zëvëndësministra, funksionarë politikë, sekretarët e përgjithëshëm, drejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në administratën publike, drejtorët e agjencive në varësi të Këshillit të Ministrave dhe të ministrive, njësitë e vetëqeverisjes qëndrore, shoqëritë me kapital shtetëror dhe pozicione të barasvlershme me to;
c) anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe gjyqtarët në gjykatat e të gjitha niveleve;
ç) anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe prokurorët në prokuroritë e të gjitha niveleve;
d) gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese;
dh) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
e) prefektë;
ë) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe cdo njësie tjetër të inteligjencës;
f) drejtues dhe punonjës në Policinë e Shtetit, përfshi agjencinë përgjegjëse për kontrollin e brendshëm dhe akademinë e sigurisë;
g) drejtues të përfaqësive diplomatike;
gj) guvernatorë, zëvëndësguvernatorë dhe anëtarë të Këshillit të Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë;
h) anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvëndësrektorë, dekanë dhe zëvëndësdekanë në universitetet publike;
i) Drejtorë dhe zëvëndësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare;
j) Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët në zyrën e tij;
k) Drejtori dhe pedagogët e brendshëm të Shkollës së Magjistraturës;
l) cdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.
3. Ndalimet e parashikuara në pikën 1, gërmat “ë” dhe “f”, zbatohen duke vlerësuar dhe individualizuar veprimtaritë konkrete të kryera nga ana e personit, si dhe vullnetin e tij gjatë kryerjes së këtyre veprimeve.
4. Personat, të cilët aktualisht ushtrojnë funksionet publike të përmendura në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, i nënshtrohen verifikimit të kushteve ndaluese sipas procedurave të përcaktuara në këtë ligj.

Neni 4
Përjashtimi nga përgjegjësia

1. Përjashtohen nga përgjegjësia sipas këtij ligji personat, të cilët vërtetojnë se kanë kryer veprimtari të ndaluara të parashikuara në pikën 1 të nenit 3 të këtij ligji, për shkak të kanosjes apo shtrëngimit, që e ka vendosur atë përpara detyrimit për të shmangur një rrezik serioz për vete ose familjarët e afërt të tij. Barra e provës për të vërtetuar kanosjen ose shtrëngimin i takon subjektit.
2. Personat që në datën 2 korrik 1991 nuk kishin mbushur moshën 18 vjec përjashtohen nga zbatimi i këtij ligji.

Latest articles

Related articles