VDIQ POR NUK U HARRUA – nga Av. Adriatik Lapaj

Duhet të kishte qenë një ditë e zakonshme plazhi për një grup shokësh të shkollës së mesme të Maminasit, por u kthye në tragjedi. Ishte data 22 Maj 2017 kur 18 vjeçari Idriz Thanishta bashkë me shokët e tij pas mësimit shkoi në plazhin e Shën Pjetrit, në Gjirin e Lalzit. Idrizi banonte në një fshat afër plazhit. Ishte bir i një familje të munduar shqiptare.

Deti kishte shumë dallgë. U futën 3 shokë, por dolën vetëm 2 prej tyre. Idrizi mbeti mes dallgëve. Shokët e vetë kërkuan ndihmë, por aty mungonte një roje plazhi. Pas 15 minutave së bashku me qytetar të tjerë të ndodhur në plazh arritën ta nxjerrin trupin e Idrizit, por asnjë ndihmë mjekësore nuk gjendej në plazh.

U mbyt! Një jetë e re u shua.

E kujtoj si tani çastin kur me kolegen time Oliana Andoni shkuam te familja e tij. Ishin të mpirë. Kishin humbur birin e vetëm. Asgjë nuk kishte më kuptim. Nuk donin të ndiqnin asnjë gjyq pasi djalin tashmë e kishin humbur…deri çastin që ju drejtova babait të tij duke i thënë se mund të shpëtonim jetë në të ardhmen. Se nëse do ishte zbatuar ligji në plazh do kishte 1 roje plazhi i cili në det me dallgë do ndalonte sipas ligjit këdo të futej në ujë. Idrizi iku, por mund të mos lejonim që gjëma e tij t’i ndodhte prindi tjetër.

Më pa…më pa fort në sy…pa vajzën e tij 16 vjeçare e cila me lot në sy i pohoi që duhej luftuar. Nisëm gjyqin. Pas 26 seancash gjyqësore gjyqtari Adrian Shega e gjeti Bashkinë Durrës në mospërmbushje të detyrimeve ligjore për sigurinë në plazhe duke vendosur dëmshpërblimin e familjarëve. Një gjyq model i kryer me shumë integritet nga gjyqtari në fjalë.

Ky vendim është këmbanë alarmi për çdo bashki bregdetare dhe çdo biznes që merr stacione plazhi me qira. Pas 5 viteve beteja, me kolegen Oliana Andoni i’a dolëm ta çimentojmë praktikën gjyqësore (vendimi i 6 ky) që u krijua rishtazi në Shqipëri se shteti dhe privati që ka në administrim plazhe mban përgjegjësi për humbjen e jetës së qytetarëve që humbasin jetën në det si pasojë e mungesës së zbatimit të kuadrit ligjor në fuqi për kushtet e sigurisë në plazhe.

Ky gjyq ka pasur për mua personalisht ngarkesë të madhe emocionale, por i’a dolëm! Jeta e Idrizit nuk iku kot. Nuk u harrua. Tashmë nga këto beteja numri i rojeve të plazhit dhe kullave po rriten dita ditës. Tashmë numri mesatar i jetëve të humbura në bregdetin shqiptar ka rënë nga 84 të mbytur në vit, në 20 (një pjesë e këtyre janë vdekje nga infarktet).

Ndaj duhet luftuar! Shteti ndërtohet duke luftuar për të drejtën! Jeta jonë bëhet me e sigurt duke luftuar! E ardhmja më e mirë duke mos u tërhequr nga e drejta!

Sa dola nga gjyqi shkrepa këtë foto. Nuk kisha me kë ta ndaja gëzimin. Këta në foto janë sytë e një njeriu të lumtur për kauzën e fituar.

Latest articles

Related articles