Kandidati i PD për bashkinë e Mallakastrës Agron Kapllanaj tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se Sali Berisha ka në dorë bashkimin e PD për zgjedhjet lokale si dhe daljen me kandidatë të përbashkët.
Kapllanaj e konsideroi situatën të rëndë te pala tjetër, për sa kohë sipas tij të gjithë mendojnë si Sali Berisha.
Sipas Kapllanaj Rithemelimi ka kandidatë potencialë për fitoren e të djathtës në zgjedhje, sikurse ka sipas tij edhe grupimi Alibeaj. Ndër të tjera ai vë në dukje se si Berisha ashtu edhe Basha janë e shkuara e PD-së.
Megjithatë kur bëhet fjalë për Bashën, Kapllanaj është i mendimit se ai ka të drejtë të garojë sërish për drejtimin e PD, pasi s’ka mbi shpatulla peshën e non gratës.
Besoj se kjo punë është sqaruar nga ana statuore dhe ligjore. Deri sa të rizgjidhet kryetari tjetër, Forumet dërgojnë në gjykatë kryetarin tjetër. Kam qenë në të dy takimet, si anëtar kryesie por edhe si kryetar. Ka qenë e njëjta frymë, ka pasur diskutime dhe mendime, dhe në fund është dalë me një platformë, atë që z.Alibeaj ka bërë me dije dhe kemi rënë dakord në unanimitet. Gjithmonë ka qenë dëshira të dalim me kandidatë unikë. Këtë gjë ia kemi përcjellë grupit Berisha, dhe kolegëve tanë që kanë garuar në primare, por kjo mbetet gjithmonë në dorë të kandidatëve apo të z.Berisha, sepse nuk besoj se ka kandidatë nga z.Berisha që të shkëputet pa miratimin e Berishës. Për sa kohë nuk shoh që asnjë të japë një mendim ndryshe, por të gjithë të flasin si z.Berisha, më vjen keq por situata është e rëndë. Mendoj që z.Berisha i përket të shkuarës së PD, si lider historik, me kontributin brenda forcës politike dhe në drejtimin e institucioneve, me të mirat dhe të këqijat, besoj se ka dhënë një kontribut të vyer për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk besoj se z.Berisha mund të marrë përsipër të ardhmen. E kam mbështetur për 32 vite, e kam dashur fort, por nëse do rehabilitohej nga aleatët tanë strategjik do ta mbështetja, edhe pse s’është një lider që premton për të ardhmen, sepse mosha bën të vetën.
Dje janë diskutuar tre ndodhi: Primaret që janë bërë brenda strukturave, ku kanë dalë kandidatët për deputetë dhe kryetar bashkie. Kanë dalë tashmë disa kandidatë që kanë dalë nga PD zyrtare. Kemi tre realitete dhe ka vend për të përmirësuar cilësinë e kandidatëve, si ata që ka nxjerrë Berisha, si këta që kemi nxjerrë aktualisht nga PD. Ka bashki ku një kandidat që ka dalë nga Rithemelimi është më potencial për të fituar zgjedhjet, dhe jemi dakord që ai kandidat të kandidojë në siglën e PD. E njëjta gjë mund të ndodhë me ndonjë ka kandidatët që kemi nxjerrë ne, apo ndonjë që ka qëndruar neutral. Edhe Basha është e shkuara e PD, e drejtoi PD-në 8 vite, nuk e solli në pushtet dhe s’e shoh si të ardhmen e PD. S’ka mbi shpatulla peshën e non gratës, dhe askush s’ia privon të drejtën që në proceset që do ketë PD në të ardhmen të garojë”.
I pyetur se si mund të gjendet një formulë tjetër për bashkimin e PD, Kapllanaj shprehet:
Sado që të vijë një kandidat nga baza, ajo çka ngelet për t’u bërë është një bashkim në qendër mes dy kampeve. Për sa kohë në qendër s’ka një afrim, një qasje, një dëshirë për kandidatë unik, e shoh të vështirë edhe në bazë. Pavarësisht se pjesa militante përbën një pakicë, gjithësesi ata janë votues të PD, por s’e kemi luks përballë një qeverie që kontrollon të gjitha pushtet të humbasim qoftë edhe një votë. Është z.Berisha që e ka në dorë bashkimin e PD dhe daljen me kandidatë unik. Berisha nuk do, arsyet i di ai”.