Nga Rey Shehu
Kërkesa për regjistrimin e kandidatëve, nga Komisioni i Rithemelimit, nuk ka vlerë juridike. Tashmë, situata e Partisë Demokratike, është e qartë. Nëse grupimi i Berishës, kërkon të sigurojë një mënyrë për të bashkuar PD-në, atëhere të bashkëpunojë me ata që kanë vulën. Është absurditet kur Doktori, i cilëson si tradhëtarë demokratët që nuk mbështesin linjën e tij politike.
Të themi realitetin! Basha, Tabaku, Alibeaj dhe shumë të tjerë, janë figura politike që u spikatën nga Berisha. Si na dolën të gjithë tradhëtarë? Dikush duhet ti shpjegojë doktorit, që fakti se disa mendojnë ndryshe, nuk i bën tradhëtarë. Fakti që dikush ka guximin të kundërshtojë, nuk është element i tradhëtisë por e drejtë e demokracisë. Të Djathtët, kanë qëndruar të Djathtë.
Berisha, i cilëson të shitur ata që mendojnë ndryshe nga ai, për dy arsye kryesore.
Së pari, ka antipati ndaj mendimit ndryshe pasi ka qasje autoritare dhe këtë detaj, e ka vërtetuar me përjashtimet që ka kryer nga partia ndër vite.
Së dyti, kërkon të legjitimojë flirtimet i Ilir Metës. Ilir Meta(j), i cili ka lëvizur herë me Ramën e herë me Berishën, sipas interesit personal politik, nuk është tradhëtar por viktimë e pushtetit.
Ky është paralelizëm cinik, për të kuptuar se deri ku shkon politika shqiptare. Sot më e sigurt se kurrë, është e qartë se interesi personal prevalon mbi interesin shtetëror. Elementë që kanë karakterizuar periudhën e tranzicionit. Një tranzicion i stërgjatur, që duhet të përfundojë me daljen në pension, të të gjithë atyre që pengojnë garën e ndershme politike, jetojnë me korrupsionin dhe që shkatërrojnë çdo vlerë demokratike të shoqërisë shqiptare. Shqiptarët, individët, partitë, bashkohen mbi qasje ideore të përbashkëta, duke pranuar që jemi të ndryshëm. Diversiteti krijon demokracinë dhe jo, idhulli ndaj liderit të pazëvendësueshëm! Ky është element i një tjetër regjimi. Ata që mendojnë tek dashuria e liderit suprem, nuk e kanë vendin as në PD dhe as brenda të Djathtës. Duhen këllqe për të thënë, unë jam demokrat!