Kina dhe Rusia rrisin bashkëpunimin për dezinformim dhe propagandë

Pas një vit luftë në Ukrainë, Kina dhe Rusia janë afruar më shumë në hapësirën e informacionit, shpesh duke përsëritur deklaratat e njëra-tjetrës nëpër mediat shtetërore, si pjesë e një strategjie më të gjerë për të minuar Perëndimin, thuhet në një raport të ri.

Studimi njëvjeçar i kryer nga Aleanca për Sigurimin e Demokracisë të Fondit Gjerman Marshall, gjeti se mesazhet nga zyrtarët kinezë dhe mediat kineze evoluan pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, për të ofruar “mbulesë retorike më të madhe për Kremlinin” pavarësisht qëndrimit zyrtar të Pekinit se është palë neutrale në konflikt.

“Definitivisht ka pasur një mbulim pro-rus dhe Kina ka përsëritur qëndrimet pro-ruse që nga fillimi i luftës, duke nënvlerësuar gjithashtu krimet ruse të luftës dhe duke i dhënë rëndësi zërave rusë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Etienne Soula, hulumtues në Aleancën për Sigurimin e Demokracisë, njëherësh një nga autorët e raportit.

Duke pasur parasysh këtë rritje të përkrahjes, në raportin që u publikua më 24 shkurt u tha se “aftësia e Kinës për të përdorur rrjetin e saj global të ndikimit për të minuar Perëndimin” i jep asaj një rol të fuqishëm për të ndryshuar qëndrimet në mesin e shteteve të paangazhuara në Jugun Global.

“Për të dobësuar demokracitë perëndimore dhe aleatët e tyre, Kina gjithashtu është përpjekur që t’i izolojë ato shtete duke iu drejtuar Jugut Global”, u tha në raport. “Në kontekstin e luftës në Ukrainë, mesazhet kineze vazhdimisht kanë argumentuar se shtetet që e mbështesin Ukrainën janë hipokrite dhe indiferente ndaj pjesës tjetër të botës”.

Një vit luftë

Mediat e kontrolluara nga Kina nuk e kanë quajtur pushtim luftën dhe në vend të kësaj kanë përdorur terminologjinë e Kremlinit, duke iu referuar si “operacion i posaçëm ushtarak”.

Ndonjëherë, mediat kineze kanë shtyrë përpara dezinformata dhe teori të popullarizuara konspirative të kanaleve shtetërore ruse, të tilla si Shtetet e Bashkuara kanë laboratorë të armëve në Ukrainë, se vrasjet pa gjyq të civilëve nga forcat ruse në Buça janë mashtrim. Po ashtu, mediat kineze kanë sugjeruar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kontrollohet nga miliarderi amerikan, George Soros.

Të mbështetur nga një dekadë të raporteve që propagandonin kundër Perëndimit dhe thellimit e lidhjeve që këto dy vende e cilësuan si partneritet “pa kufij” para pushtimit të Ukrainës, mediat kineze që kontrollohen nga shteti po ashtu kanë ndihmuar në përhapjen e narrativit të Kremlinit për luftën, për audiencën brenda dhe jashtë vendit.

Sipas analizës së raportit, ky qëndrim është shfaqur edhe në llogaritë në mediat sociale.

Në periudhën 24 shkurt 2022 – 23 janar 2023, diplomacia kineze dhe llogaritë në Twitter të mediave të lidhura me shtetin, kanë përmendur ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, “tri herë më shumë” sesa Dmytro Kulebën, homologun e tij ukrainas. Presidenti rus, Vladimir Putin, është përmendur tetë herë më shumë sesa Zelensky.

Siç u tha në raport, mediat kineze duke u bërë jehonë narrativëve të Rusisë, po ashtu kanë ofruar një mundësi për të kritikuar Shtetet e Bashkuara dhe për të forcuar qëndrimet e kamotshme të Pekinit lidhur me politikën e jashtme amerikane.

Në vitin e parë të luftës, diplomacia kineze dhe llogaritë në Twitter të mediave të lidhura me shtetin, kanë përmendur SHBA-në dy herë më shumë sesa Rusinë, kur kanë shkruar për “luftën” dhe kanë vënë theksin më shumë te NATO-ja që “nuk ishte një temë për sulm në mediat kineze para luftës”.

Më 2021, sipas të dhënave të Aleancës për Sigurimin e Demokracisë, media shtetërore kineze ka përmendur “NATO-n” në më shumë se 1.200 postime në Twitter, me “zgjerimin” e aleancës ushtarake perëndimore që është përfshirë vetëm në 52 postime. Pas pushtimit rus, përmendja e “NATO” dhe “zgjerim” u rrit për më shumë se 540 për qind dhe 1.700 për qind respektivisht.

Tajvani është një temë tjetër, përmendja e të cilit është rritur që nga pushtimi rus, edhe pse në një mënyrë që ka rezultuar e vështirë për konvergjencën e Kinës me Rusinë në hapësirën e informacionit.

Llogaritë kineze që përmendin ishullin vetëqeverisës të Tajvanit, që Pekini e konsideron pjesë të tij, në të njëjtin postim në Twitter si Ukrainën, ndodhën më shumë se 500 herë, megjithëse raporti theksoi se shumica dërmuese e këtyre postimeve u bënë nga zyrtarët kinezë apo mediat që synonin të bënin krahasime midis këtyre dy vendeve. Pekini e sheh Tajvanin si provincë të tij dhe shpesh përmend respektimin e “sovranitetit dhe integritetit territorial” të tij si arsye se pse vendet nuk duhet të ndërveprojnë me Tajpein si shtet i pavarur.

“Mbështetja e Kinës ndaj Rusisë nuk është e plotë. Vija e kuqe është se interesat kineze janë të parat, pa marrë parasysh gjithçka tjetër”, tha Soula. “Kjo është mjaft e qartë sa herë përmendet Tajvani dhe qëndrimet janë të palëkundura për të treguar se Ukraina dhe Tajvani nuk janë e njëjta gjë, dhe duke bërë kështu, disi hedhin poshtë narrativin e Rusisë”.

Latest articles

Related articles