Haruki Murakami, shkrimtar japonez që pushtoi botën

Shumë nga librat e Haruki Murakamit kanë arritur të njëjtin sukses në shitje si Harry Potter. Personazhet e tij enigmatike, botët surrealiste dhe delikatesa e emocioneve që ato përcjellin kanë pushtuar lexuesit nga e gjithë bota.

Me formulën e tij unike letrare, Haruki Murakami është një nga autorët e paktë japonezë të aftë për të magjepsur një audiencë kaq të madhe. Në librat e tij, ndjenjat themelore dhe të zakonshme si vetmia, frika apo mungesa e dashurisë janë shndërruar në surrealizëm përmes një repertori të gjerë simbololesh dhe manifestit të hyjnores surreale. Haruki Murakami është, padiskutim një ndër autorët më të shitur, por edhe kandidati i përjetshëm për Nobel, çmim të cilin nuk e ka marrë ende.

Kur zhytesh në një nga librat e tij për herë të parë, ndodh diçka magjepsëse: të vjen ndjesia se çdo rresht është shkruar për ne, dhe kjo falë aftësisë së Murakamit për të ngjallur nostalgji për ato gjëra që pothuajse të gjithë ne i kemi dëshiruar shumë në një moment të jetës, por që nuk kemi qenë në gjendje për t`i arritur. Pak autorë arrijnë të prekin universin tonë të pavetëdijshëm me aq lehtësi sa të na emocionojnë.

Protagonisti ideal i Murakamit është gjithmonë një vëzhgues, dikush që shikon me kuriozitet ngjarjet që e rrethojnë: një telefonatë e çuditshme, zhdukja misterioze e një maceje, një portë në një dimension tjetër në të cilën humbet një dashuri… Dialogët fantastikë me të përditshmen, pa shkelur megjithatë brigjet e realizmit magjik, për shembull, nga García Márquez; Veprat e Haruki Murakamit në këtë kuptim të kujtojnë më tepër përvojën e rrallë të një ëndrre të kthjellët.

Ashtu siç thotë shpesh ai vetë, për Murakamin të shkruarit është një mënyrë ëndërrimi. Midis faqeve të tij hapen porta që na zhytin në një lloj tjetër ndërgjegjeje, në një botë pusesh nëntokësore, kafshësh që bëhen profetë dhe ku seksualiteti është pothuajse gjithmonë i veshur me një fuqi ekzorcizmi.

Murakami është David Lynch i fjalëve, dhe kjo mund ta bëjë artin e tij të duket shumë i çuditshëm për disa, por thjesht sublim për të tjerët…

“Unë nuk dua që ju të kuptoni metaforat apo simbolikën e veprës, dua që ju të ndiheni sikur jeni në një koncert të mirë xhazi, me këmbët tuaja që thjesht nuk mund të ndalojnë së lëvizuri poshtë karriges për të mbajtur ritmin”. -H. Murakami

Biografia e Haruki Murakami, ëndërrimtari që e dashuron xhazin

Haruki Murakami lindi në Kioto në vitin 1949. Një nga pasuritë e tij është padyshim kultura e hapur e prindërve të tij: të dy profesorë të letërsisë, që fëmijë ata e lejojnë atë që të vihet në kontakt me librat dhe muzikën amerikane. Kështu ai u rrit me romanet klasike amerikane të viteve 50-60 dhe u dashurua menjëherë me muzikën xhaz.

Ai u regjistrua në fakultetin e letërsisë të Universitetit ëaseda (Sōdai), por në ato vite si student ai mezi i ndiqte leksionet. Stili i tij i jetesës, kaq i largët nga rregullat strikte tradicionale japoneze, është më tepër i orientuar drejt muzikës dhe eksplorimit të universit të bareve të natës në qytetet e mëdha. Më pas ai vendos të punojë në një dyqan diskografik për një farë kohe dhe më pas hap një bar jazz të quajtur Peter Cat në Kokubunji, Tokio.

Pikërisht në universitet ai takohet me Yokon, e cila më vonë do të bëhet gruaja e tij dhe me të cilën ndan një dashuri për muzikën; ai drejtoi lokalin me të deri në fillim të viteve 1980. Në këtë dekadë botimet e tij të para shohin dritën. Megjithatë, për suksesin e madh duhet të presim vitin 1986 me “Druri i Norvegjezit” (Tokyo bluz); libri përuron një fazë të re në jetën e Murakamit, i cili lë Japoninë për të shkuar e për të jetuar në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Universe distopike, përkthime dhe një çmim Nobel të vonë

Në vitin 1995, Murakami vendos të kthehet përkohësisht në Japoni pas dy ngjarjeve jashtëzakonisht të rënda: tërmeti në Kobe dhe sulmit në metronë e Tokios nga grupi fetar Aum Shinrikyō. Të dyja fatkeqësitë do të jenë frymëzim për vepra të famshme si “Nëntokë. Përralla e shumë zërave të bombardimit të metrosë së Tokios” (1997) dhe “Të gjithë fëmijët e Zotit kërcejnë” (2000).

Më vonë erdhën vepra të tilla si “Vajza e Sputnik”, në të cilën Murakami heton natyrën e dashurisë ndërsa tregon historinë e zhdukjes së Sumire, një shkrimtare e re. Edhe romanet si “Kafka në plazh” (2002), “Pas errësirës” (2004) apo “1Q84” (2009) janë shembuj të shkëlqyer të një shpikje që na çon në universe distopike nga të cilat, si lexues, nuk dalim kurrë të padëmtuar.

Simbolika, refleksione dhe një surrealizëm që të fut në kurth dhe të turbullon në të njëjtën kohë. Pak autorë kanë arritur të krijojnë një stil kaq të veçantë sa të magjepsin miliona lexues. Haruki Murakami është gjithashtu një nga autorët më të shitur, i cili, megjithatë, vit pas viti vazhdon të mos e marë çmimin Nobel.

Vlen të përmendet edhe puna e tij si përkthyes, në të cilën ai solli në Japoni ata që i konsideron mësues të tij: autorë si Raymond Carver, Francis Scott Fitzgerald dhe John Irving. Ai është gjithashtu një adhurues i madh i maceve dhe sporteve dhe shpesh merr pjesë në ngjarje të tilla si garat atletike që përbëhen nga tre ngjarje të ndryshme, zakonisht noti, çiklizmi dhe vrapimi në distanca të gjata.

Stili i Haruki Murakamit

Murakami iu rikthye trillimit me“Vrasja e komandantit” (2017). Ky roman gjigant, titanik i botuar në dy vëllime na rikthen te ato tema kaq të përhapura në veprat e tij: dashuria, vetmia, puna. Edhe një herë gjejmë stilin e tij tipik, universet alternative dhe figurat enigmatike, një terren pjellor për emocione më të forta.

Librashitësit e duan atë: “Askush nuk është si Murakami”, deklarojnë ata. Megjithatë, në atdheun e tij ai shihet si një njeri shumë i dhënë pas Perëndimit, i lidhur me kulturën amerikane, deri në atë pikë sa të perceptohet si një shkrimtar “pop”. Përkundrazi, në Perëndim, ai vazhdon të magjepsë, sepse frymëzon përkushtim dhe sepse leximi i tij është, siç do të thoshte Churchill, “një enigmë e mbështjellë në një mister brenda një enigme”, një autor që të tjetërson, por joshës.

Deri më sot, librat e tij janë përkthyer në 42 gjuhë, duke kryesuar listat e bestsellerëve edhe në Korenë e Jugut dhe Kinë. Aftësia e tij për të përzier empiriken me surrealen, për t’i mbushur me elemente të mbinatyrshme historitë e tij, e ka lejuar atë të fitojë miliona lexues. Sepse, pavarësisht çuditshmërisë ndonjëherë të padepërtueshme të simbolikave të saj, ne të gjithë e gjejmë veten në ato imazhe, në ato realitete të gjalla të dashurive, frikës dhe vetmisë.

Nuk e dimë nëse herët a vonë do t`i akordohet çmimi i shumëpritur Nobel. Sidoqoftë, Haruki Murakami me siguri tashmë ka arritur të pushtojë botën me stilin dhe gjurmët e tij unike dhe të pagabueshme. Dhe falë kësaj, mund të themi se ai tashmë ka fituar atë që çdo shkrimtar përpiqet: admirimin e lexuesve të tij.

Përgatiti:S.Tresa /PANTEON/

Latest articles

Related articles