Sebastian Zonja
Në tetor ne presim që të organizohet Samiti i Berlinit në Tiranë. Po sikur qeveria shqiptare të kërkojë reciprocitet për shqiptarët në Preshevë?
Mund ta nxisë Prishtina dhe e mbështet Tirana.
Po sikur të kërkojë që NATO, krahas Brukselit, të jetë garant i marrëveshjes së Ohrit, Prishtinë – Beograd?
Mund ta kërkojë Prishtina dhe e nxit Tirana.
Qeveria shqiptare nuk do bëjë asnjërën prej këtyre. Për qeverinë në Prishtinë s’e di.
Jo se në Tiranë ka ndonjë tradhti apo shitje te Vuçiçi, siç thonë e duan të besojnë shumë, por se nuk është në përmasën e horizontit të saj kombi.
Sërish, një qeveri që nuk ka në fokus kombin, me logjikë duhet të ketë Republikën e copëtuar. As Republikën s’e ka. Kancelari gjerman Olaf Scholz kërkoi ndëshkim të korrupsionit në njërën nga qeveritë më të korruptuara në Ballkan. Dhe ja kërkoi këtë shokut të Tahirit dhe Kokës!!! Ja kërkoi një piktori që thotë se është bojaxhiu më i mirë në botë mes kryeministrave, dhe kryeministri më i mirë mes bojaxhinjëve.
Ndërkohë, një ushtarak në krye të shtetit e kupton qartë situatën ku ndodhemi sot. Presidenti i Shqipёrisё Bajram Begaj, konsideron se ka ardhur koha, kur duhet tё konsiderohet mundësia e përfshirjes sё Kosovës nё strukturat e NATO-s.
“Republika e Kosovës ёshtё shtet sovran edhe i pavarur me vizion për integrime në familjen euro atlantike. Vlerësojmë maksimalisht angazhimin e NATO-s në rajon dhe tё KFOR-it si garantues i paqes në Kosovë dhe rajon. Po kalojmë një kohë kur nevojiten vendime të guximshme. Koha që të shqyrtohet anëtarësimi i Kosovës në strukturat euro-atlantike“, ka deklaruar presidenti shqiptar, i cili pёr herë tё parё vizitoi selinё e NATO-s, ku bisedoi me sekretarin e pёrgjithshёm, Jens Stoltenberg.