Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK i tha BIRN se procesi i ekstradimit të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është ende në vazhdim në Itali dhe se nuk ka një refuzim të kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij.
“Autoritetet italiane kanë konfirmuar se procesi gjyqësor me objekt ekstradimin e shtetasit shqiptar Adriatik Llalla është në vazhdim e sipër…,” tha SPAK në përgjigje të një kërkese për të drejtë informimi.
Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla u dënua me dy vjet burg për fshehje pasurie në shtator të vitit 2021, por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë.
Rreth dy javë më parë, avokati i tij, Sokol Hazizaj deklaroi se Gjykata e Apelit në Romë i kishte dhënë ish-kreut të Prokurorisë të drejtën e azilantit politik. Sipas Hazizajt, vendimarrja në favour të Llallës kishte të bënte me qëndrimin joproporcional të mbajtur nga gjykatat shqiptare në dënimin e ish-Prokurorit të Përgjithshëm.
Por SPAK ka një version të ndryshëm mbi procesin e Llallës në Itali.
Vendimi i Gjykatës së Apelit Romë i datës 13 shkurt 2023 nuk ka pasur sipas SPAK për objekt shqyrtimin e kërkesës për ekstradim, por masën e sigurimit të caktuar ndaj Lallës.
“Me këtë vendim Gjykata e Apelit Romë ka revokuar masën e sigurimit ‘detyrim për të qëndruar’ në Bashkinë e Romës, Itali,” sqaroi më tej SPAK.
Llalla u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pranverë të vitit 2021 dhe vendimi mori formë të prerë më 22 shtator të atij viti. Llallës iu konfiskuan edhe pasuritë e dyshuara si të fshehura.
Avokati i tij, Sokol Hazizaj ishte i paarritshëm për t’u pyetur mbi procesin e zhvilluar në Romë deri në publikimin e këtij shkrimi./ Reporter.al