Aty mund të gjesh gjithçka për të blerë, mjafton të kesh para dhe lidhjet e duhura. Nuk bëhet fjalë për një treg mallrash, por për një burg. Madje burgun më të madh në Filipine, ku autoritetet kryejnë herë pas here mësymje për të sekuestruar sendet e paligjshme.
Në operacionin e fundit, gjërat e gjetura aty ishin ndër më të çuditshmet, raporton “The Guardian”. Dhjetëra mijëra mallra të kontrabanduara u identifikuan dhe sekuestruan në burgun “Bilibid”, mes të cilave edhe armë vdekjeprurëse, alkool, drogë, dhe letra bixhozi. Gjithashtu u sekuestruan edhe kuaj, fazanë dhe pitonë.
Inspektimi u nis pas vrasjes se gazetarit vendas Percival Mabasa, i cili, sipas policisë, u ekzekutua me urdhër të shefit të burgut, Gerald Bantag. Ky i fundit i mohon akuzat dhe ende nuk është ngritur padi zyrtare ndaj tij, por sidoqoftë kaq ka mjaftuar për të tërhequr vëmendjen e shtetit ndaj burgut.
Në Filipine burgjet shquhen për “fole” korrupsioni. Muajin e kaluar, katër japonezë u arrestuan pasi u akuzuan se po orkestronin një seri mashtrimesh dhe grabitjesh në vendlindjen e tyre, edhe pse ndodheshin brenda një qendre për mbajtjen e emigrantëve në Filipine.