Autoritetet shëndetësore australiane kanë lëshuar alarmin se cigaret elektronike të njohura si VAP po shkaktojnë një sërë sëmundjesh misterioze mushkërish, sidomos te adoleshentët, që janë edhe konsumuesit më të mëdhenj të këtyre cigareve.
Brad Hazzard, ministri i Shëndetësisë në Australi njoftoi ndërmarrjen e një fushate ndërgjegjësimi kundër përdorimit të kësaj cigareje, që është përhapur në masë, sidomos te të rinjtë.
“Qeveria dhe autoritetet shëndetësore janë mjaft të shqetësuara mbi ndikimin e VAP-eve te mushkëritë e të rinjve”, tha ai të martën.
Nga analizat dhe kontrollet mjekësore të kryera te konsumuesit e këtyre cigareve janë zbuluar nivele të larta përbërësish të dëmshëm për mushkëritë, përfshirë këtu edhe përbërës që fajësohen për krijimin e atyre që njihen si ‘qeska’ në këtë organ.
Autoritetet australiane thanë se në 31 për qind të cigareve elektronike që shiten në Australi është hasur ky përbërës, njohur si diacetil, që tejkalon nivelet e lejuara nga ligji. Diacetili shkakton sëmundjen e qeseve në mushkëri dhe është një lëndë që përdoret te përgatitësit e kokoshkave për ngjyrosje.
Në tregun australian janë 190 produkte cigaresh elektronike dhe nga analizat të gjitha produktet ishin në shkelje të normave ligjore, si të nikotinës, ashtu edhe të diacetilit, madje në disa prej këtyre produkteve nuk kishte as shënime paralajmëruese mbi dëmet që shkaktojnë në shëndet.
Hazzard tha se këto cigare dëmtojnë rëndë mushkëritë dhe ato të adoleshentëve.
“E dimë që mes shumë të rinjve cigaret elektronike janë konsideruar si të sigurta dhe deri diku më të sigurta se cigaret tradicionale, por ka shumë rëndësi që të rinjtë dhe familjet e tyre ta kuptojnë që këto cigare nuk janë të sigurta. Provat që ekspertët na kanë sjellë tani tregojnë se ato shkaktojnë një sërë shqetësimesh shëndetësore”, tha Marianne Gale, drejtore ekzekutive e sistemit shëndetësor australian.
Këto cigare shkaktojnë çrregullime kardiake, dhimbje në kraharor dhe irritim në fyt dhe mushkëri. Përveç kësaj, ato përmbajnë edhe nikotinë, që krijon shumë varësi. Nikotina ka ndikim negativ në zhvillimin e trurit, prek kujtesën, si dhe gjendjen e përgjithshme mendore.
Sipas autoriteteve australiane, një person që konsumon cigaret elektronike ka tre herë më shumë gjasa nga një person tjetër që të bëhet duhanpirës tradicional.