Hetimet e një grupi ekspertësh të Kombeve të Bashkuara denoncojnë, në një raport të paraqitur dje, shkeljet e vazhdueshme të të drejtave të njeriut dhe shtypjen e lirive demokratike. Vetëm dy muajt e fundit, dhjetëra persona u dënuan rëndë për arsye politike dhe qindra disidentë u dëbuan nga vendi e u privuan edhe nga nënshtetësia. Bëjnë edhe thirrje për lirimin e Imzot Rolando Álvarez, dënuar me 26 vjet burg. Përvojë aspak e panjohur për shqiptarët!
R. SH. – Vatikan
“Situata e të drejtave të njeriut në Nikaragua vazhdon të keqësohet në muajt e parë të vitit 2023”. “Qeveria po kryen shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, pa i kursyer as krimet me karakter politik kundër civilëve, domethënë, kundër njerëzimit”. Kështu shkruhet në Raportin e publikuar dje, hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Pavarur të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
Përgjegjësitë e Ortega-s
Raporti i bën thirrje qeverisë së Daniel Ortega-s t’u japë fund praktikave të tilla si heqja e shtetësisë nikaraguane disidentëve dhe denoncon abuzimet që “nuk janë fenomen i izoluar, por produkt i shpërbërjes së qëllimshme të institucioneve demokratike, shkatërrimit të shoqërisë civile dhe hapësirës demokratike”. Hetimi, i cili filloi një vit më parë nën një mandat të OKB-së, thekson se Presidenti Ortega dhe nënpresidentja e tij, bashkëshortja Rosario Murillo, shkelin sistematikisht të drejtat e njeriut dhe kryejnë krime kundër njerëzimit në Nikaragua që nga viti 2018 e deri tani. “Aparati shtetëror në tërësinë e tij është shndërruar në një armë përndjekjeje kundër popullsisë”, thekson presidenti i Grupit, gjermani Jan-Michael Simon, gjatë paraqitjes së përfundimeve të hetimit në Gjenevë. Në tekst jepen “provat” e theksohen përgjegjësitë jo vetëm të çiftit presidencial, por edhe të zyrtarëve të strukturave qeveritare dhe individëve të përfshirë në krime dhe shkelje të papranueshme!
Tortura dhe dhunë seksuale
Simon flet për “shkeljet dhe abuzimet” të cilat “kryhen sistematikisht për arsye politike” dhe përbëjnë krime kundër njerëzimit si “vrasje, burgosje, tortura, përfshirë dhunën seksuale, dëbimin dhe persekutimin e motivuar politik”. Vetëm në janar dhe shkurt, u dhanë dënime deri në 10 vjet burg për 30 persona që guxuan të kritikonin qeverinë, duke përfshirë aktivistë, gazetarë dhe priftërinj në gjyqe pa proces të rregullt, shpesh në seanca të mbyllura, në të cilat të pandehurit iu mohua prania e avokatit. Flitet gjithashtu për mbylljen e të paktën 3,144 organizatave civile që nga dhjetori 2018 dhe praktikisht “të gjitha mediave të pavarura”.
Lironi ipeshkvin e Matagalpës dhe disidentët e tjerë!
Një deklaratë nga Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut i bën thirrje gjithashtu “shtetit të Nikaraguas që të lirojë pa kushte 37 personat ende të privuar arbitrarisht nga liria”, duke përfshirë Imzot Rolando Álvarez, ipeshkëv i Matagalpës, “gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet” dhe t’u rikthejnë kombësinë dhe të drejtat e tjera civile, politike, sociale, ekonomike më shumë se 300 personave të prekur nga vendimet e fundit”. Nikaraguas i kërkohet “të shfuqizojë të gjitha ligjet që pengojnë ushtrimin e pjesëmarrjes politike, lirinë e shprehjes, tubimin dhe shoqërimin, të drejtën e kombësisë dhe të drejtën e pronës me siguri juridike”.