Presidenti rus Vladimir Putin ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, pas informacionit të dhënë nga FSB, shërbimi inteligjent rus, për një sulm “terrorist” nga “diversantët” ukrainas në Bryansk, të cilin Kievi e ka mohuar.
Udhëtimi i planifikuar i Putinit në Kaukaz është anuluar.
Çfarë saktësisht do të shqyrtohet në Këshill nuk është e qartë. Prej kohësh ekziston një skenar që kërkon që Rusia t’i shpallë zyrtarisht luftë Ukrainës, gjë që do t’i lejonte Kremlinit të bënte thirrje për rekrutim të mëtejshëm.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, i pyetur nga gazetarët nëse mbledhja e Këshillit të Sigurimit mund të nënkuptojë një ndryshim në natyrën e asaj që Moska vazhdon ta quajë “operacion special ushtarak”, u përgjigj se nuk e dinte.
Është një vepër penale në Rusi që dikush t’i referohet “operacionit special ushtarak” të nisur më 24 shkurt 2022 me termin “luftë”.
Takimi, sipas disa vlerësimeve, mund të rezultojë në shkurtim të mëtejshëm të lirive dhe të drejtave në Rusi, ose hapa drejt një deklarate lufte dhe një lëvizje drejt një ekonomie të kontrolluar nga qendra, domethënë, duke e kthyer atë në një ekonomi lufte.
Putin dënoi sulmin “terrorist” të djeshëm në një fshat në Bryansk.
Ishte “një tjetër akt terrorizmi, një tjetër krim”, këmbënguli ai.
Sipas autoriteteve ruse, dy civilë u vranë dhe një fëmijë 10 ose 11 vjeç u plagos kur “diversantët”, sipas tyre “nacionalistë ukrainas”, hapën zjarr ndaj një makine në lëvizje në një fshat të rajonit. Agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar dëshmitarë okularë dhe zyrtarë, raportuan se autorët e sulmit morën pengje.
Verifikimi i pavarur i këtij informacioni është i pamundur.