“Po të doja i vr*sja edhe efektivët, po nuk e bëra sepse…”-Dan Hutra i tregon Policisë gjithë mekanizmin e krimeve

Fakte tronditëse nga “zbatimi” i ligjit me përpikëri nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës për lirimin e Dan Hutrës, autorit të masakrave në Tiranë me datë 1 mars.

E ndërsa gjatë orëve të para të së djeshmes u mësua se ai ishte kapur edhe në një kotec pulash në Durrës, ku për vjedhjen e tyre kishte marr me vete një makinë “Benz”, që e mbante në emër të një personi tjetër, Policia e Tiranës bën me dije se: Autori-killer ishte treguar bashkëpunues.

Madje, për bashkëpunimin e një vrasësi serial që gjuante vetëm femra, Policia e tregoi si një arritje të madhe rrëfimin e tij monstruoz pas prangosjes në një kodër të Vaqarit, vend në të cilin u pikas nga një i ri që lajmëroi Policinë. Kjo e fundit e identifikoi publikisht djalin që i dha koordinatat e vendndodhjes së autorit të tri ngjarjeve, me tri gra të plagosura e tri të vrara dhe tha se Dan Hutra nuk kishte bërë rezistencë, madje Policia tregoi se ai iu kishte thënë se po të donte edhe i vriste punonjësit e Policisë, të cilët kanë shkuar të pambrojtur për të arrestuar “killer”-in që kishte përgjakur Tiranën, nga Astiri në Kamzë. Po ashtu, në kuadër të bashkëpunimit të “frytshëm” të Policisë me autorin e masakrave të përgjakshme në Tiranë, u tha se ai iu ishte lutur ta linin të vriste edhe një person të katërt, të cilin e kishte në planet e veta për ta ekzekutuar, ndërsa për pjesën tjetër ai e kishte realizuar.

Vijon monstruozitet i daljes së dëshmisë së tij, në momentin kur policia tregon se autori i krimeve iu kishte thënë se Majlindën, gruan që e qëlloi me thikë në zonën e Unazës së Re, kishte vendosur ta godiste në fyt, pasi ajo, sipas tij i kishte marrë 80 mijë euro dhe nuk i kishte kthyer. Për këto e shumë detaje të tjera të planeve të tija kriminale që i realizoi në harkun kohor të 33 minutave, ai duket se e ka bindur policinë e Tiranës se ka qëndruar përgjatë gjithë kohës në pozita bashkëpunuese për të cilat vetëm policia mund ta dijë se çfarë rëndësie kanë për një vrasës serial që shkon në shtëpitë e miqve të tij dhe qëllon me breshëri mbi gratë e familjeve.

PJESË NGA RRËFIMI-BASHKËPUNUES

“Kishte në shënjestër një person, fqinj, të quajtur Rrahman Sela, të cilin e konsideronte përgjegjës për ikjen e të atit. Aty ndaloi edhe në një lokal, piu ujë dhe kur në TV u shfaq foto e tij, shitësi reagoi. “Nuk e vrava se më erdhi keq”. “Kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim 40-vjeçaren në ‘Astir’, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë. Doja ta vrisja, sepse më kishte 80 mijë euro borxh”. Dëshmon për sulmin e parë ku plagosi në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, Marjana Gurakuqin, 40 vjeçe, në “Astir”. Vetë Marjana që nuk denoncoi menjëherë nga frika, është në gjendje të mirë në spital.

“Më pas, shkova në Kodër-Kamzë, sepse doja të vrisja ishvjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeta më shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë”. Me “Benz” me targa “AA 531 UK”, me qira dhe rreth orës 12:35 minuta shkoi te banesa e ish-bashkëjetueses së tij, plagosi Elena Hysën, 35 vjeçe, dhe nënën e saj Kujtime Hysën, 60 vjeçe, vrau Mevlute Hysën 30 vjeçe, motrën e Elenës, Hasime Dafkun 30 vjeçe, e fejuara e vëllait të Elenës.

“Më pas, kisha dy objektivë, vëllanë e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh. Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: A ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja. Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar”. Në Kamzë dhe rreth orës 12:48 minuta, ndaloi te banesa e familjes Kurti dhe vrau Etleva Kurtin, 31 vjeçe. Në mbyllje të dëshmisë, Dan Hutra thotë: “Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie, të cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër, po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së 4-t unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg”.

Këto janë copëza nga dëshmia e “killer”-it që e bindi Policinë e Tiranës për ta quajtur bashkëpunues, ndërkohë që ai mësohet se është ndaluar dy herë nëpër dyqane dhe më pas e ka pikasur djalin nga Vaqari si dhe punonjësit e Policisë që kanë shkuar ta arrestojnë, por nuk i ka vrarë, edhe pse Policia pranon se ai iu ka thënë se po të doja iu vrisja. “Killer”-i me origjinë nga Kukësi, por banues në Vaqar prej më shumë se dy dekadash ka treguar edhe se pas lirimit nga burgu në mesin e shkurtit ai nuk ka shkuar në shtëpi, por ka qëndruar hotelesh. Policia ende nuk është kujdesur ta pyesë vrasësin se ku i kishte marrë paratë për të qëndruar dy javë në hotele, teksa hartonte planet për ekzekutimin e grave që kishin qenë në jetën e tij.

Kushëriri i Etlevës paralajmëron familjen Hutra

Elteva Kurti ishte viktima e fundit e “serial killer”-it Dan Hutra mesditën e së mërkurës në Tiranë. Ajo u ekzekutua në derën e shtëpisë së vet teksa vrasësi kishte hyrë në banesë dhe thuhej se kërkonte të vëllanë e Vladimir Kurtit, vëllanë e Etlevës që gjendet i dënuar me burgim të përjetshëm. Kurti dhe Hutra mësohet se janë njohur së bashku në burg, ndërsa kishin konflikte që kishin nisur brenda qelive ku të dy vuanin dënimet. Ditën e djeshme, ka folur kushëriri i dytë i Etlevës, i cili ka kërcënuar familjen Hutra, duke iu treguar se për një grua vriten 7 meshkuj.

“Dan Hutra me vajzën nuk kanë pasur asnjë lidhje. Ka qenë në burg me Vladimirin, janë rrah atje, ai ka dalë nga burgu, kurse djali i kushëririt tim është akoma atje me burg të përjetshëm”, tha ai. “I ka thënë se kur të dal nga burgu do ta vras të gjithë familjen. Shteti ka fjetur gjumë dhe shkoi vrau një vajzë 32-vjeçare në derën e shtëpisë”. Varrimi i së resë është bërë në fshatin Gurrë e Vogël në Mat, atje ku Elteva Kurti kishte lindur, ndërkohë që kushëriri i saj ka kërcënuar njerëzit e autorit të krimit të rëndë, duke i kujtuar se vrasja e një femre është e papranueshme. Dan Hutra i tha Policisë se po të donte e vriste edhe nënën e Vladimirit po nuk deshi, por ai vendosi t’i vriste motrën, kur nuk gjeti vëllanë e tyre në banesë.

Latest articles

Related articles