Ramazan (Dan) Hutra ka rrëfyer gjithë dinamikën e vrasjeve të së mërkurës në Polici, duke pranuar se kishte planifikuar për të vrarë 4 persona.
Ai ka deklaruar se si fillim donte të vriste me thikë 40-vjeçaren në Astir sepse i kishte borxh, e më pas do të shkonte në Kodër Kamzë. Aty do të vriste ish-vjehrrin, por duke qenë se nuk e gjeti qëlloi ndaj grave, duke lënë 2 të vdekura dhe 2 të plagosura.
Dy objektivët e fundit ishte vëllai i Vladimir Kurtit (me të cilin kishte pasur sherr në burg), si dhe një person që i kishte dhënë 23 vite më parë pistoletë babait të tij. Në shtëpinë e Kurtit ka vrarë motrën e tij, duke i kursyer jetën nënës, e më pas është nisur drejt objektivit të katërt.
“Planin e kisha të përgatitur dhe kisha 4 objektivë për të vrarë. Në fillim doja të vrisja 40-vjeçaren në Astir, të cilën doja ta prisja në fyt, por u largua dhe në dyqan u futën njerëz të tjerë. Doja ta vrisja sepse më kishte 80 mijë euro borxh. Nuk doja ta qëlloja me armë sepse më pas nuk realizoja dot vrasjet e tjera.
Më pas shkova në Kodër-Kamez, sepse doja të vrisja ish-vjehrrin por duke qenë se nuk e gjeta në shtëpi, kam qëlluar ndaj grave. Pasi më mbaruan plumbat nxora thikën dhe sulmova me thikë. Më pas kisha dy objektivë, vëllain e Vladimir Kurtit dhe një person tjetër që i ka dhënë pistoletën vrasësit të babait tim para 23 vitesh.
Duke qenë se e kisha më afër dhe nuk kishte trafik shkova te shtëpia e Vladimir Kurtit. U futa në banesë dhe nuk gjeta njeri, po kërkoja vëllain e Vladimir Kurtit. Kur dola në oborr thirra: a ka njeri këtu? Dhe doli motra e tij. Qëllova ndaj saj, ndërsa ndaj nënës nuk qëllova vetë, sepse nuk doja ta vrisja.
Vrasjen e bëra sepse kisha sherr me vëllain e saj në burg dhe e kisha paralajmëruar. Mora makinën dhe u largova drejt Sharrës dhe rrugës jam ndeshur me disa patrulla policie të cilat shkonin drejt vendngjarjeve. Kur arrita në Kodër po prisja ardhjen e objektivit tjetër. Pas kryerjes së vrasjes së katërt unë do dorëzohesha vetë dhe do shkoja në burg”, ka rrëfyer Hutra.
Ai sapo kishte dalë nga burgu dhe kishte një dosje të gjatë penale në poici me vepra të ndryshme penale. Në 2007 ai kishte vrarë të fejuarën e tij 22-vjeçare, për të cilën u dënua vetëm me 16 vjet burg dhe më pas u lirua.