Vdekja parlamentare e Partisë Foltore – REDAKSIONALE

Prej mbi një muaj, Sali Berisha ka urdhëruar që të zaptohet me dhunë kuvendi i Shqipërisë. Ka inskenuar dhunën dhe gjoja protesta duke rrethuar parlamentin me 100 protestues dhe një kalë të bardhë të lyer me bojën blu. Ka ngulmuar me video live nga kuvendi se ka pamje të videove orgji të McGonigal. Ka ulëritur në selfie video dhe në konferenca për shtyp se ka fakte të pamohueshme për udhëtimet e Ramës me McGonigal.

Ka djegur figurinat e deputetëve të Foltores që po shkërmoqin reputacionin e tyre të pakët politikë duke i detyruar të thonë çmenduri nga foltorja e kuvendit. Ka keqpërdorur për të disatën herë dhe figurën e kryetares legjendare të gruas në PD, duke e kthyer atë në artilieri kundër Edi Ramës me akuza dhe jo vetëm.

Mirëpo sot, ndërsa vendi kërkonte dhe priste të dëgjonte një fjalim të Sali Berishës dhe Foltoristëve askush nuk foli. Edi Rama i talli dhe i përbuzi pa dhënë asnjë argument ndërsa Sali Berisha u sorollat në sallë duke kërkuar më shumë të përplasej me Ulsi Manjën se sa të fliste kundër Edi Ramës.

As figura e ndritur e PD që kërkon të fitojë bashkinë nuk u dëgjua të fliste në sallë. Gjeneral Noka heshti për videot orgji që premtonte në emisionet e mbrëmjes në prime time. As arrivistja më e fundit e Foltores që udhëton për të “qëmtuar” vendet “arkeologjike” që ia këshillon ish këshilltari i Ramës që pret kockën e radhës, nuk foli. Madje edhe kryetari i vetëshpallur i grupit parlamentar nuk foli por u struk pas pyetjeve të kryetarit legjitim të grupi Alibeaj.

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së së besprerit Basha dhe Foltores së legjendës Berisha nuk foli asnjë fjalë por kërkoi të dëgjohej besprerja Tabaku. Ku shkoi vrulli revolucionar i komandantit Noka dhe bilbilfryrësit Spaho që kërkonin vëmendje për një nga anëtarët e asaj që Berisha e etiketoi dyshja Basha-Bardhi? U mbyll me turp.

Nuk kuptohet qartë e gjithë kjo. Sali Berisha, që pretendon se ka shumicën e demokratëve, duket se ka rënë në një depresion të thellë politik që nuk di si ta zgjidhë. Ai ka përpara duarve një shans të artë për të varrosur politikisht Edi Ramën por nuk ka as fuqinë, as dijen, as mundësinë dhe as aftësinë që ta mbërrijë këtë rezultat pasi ka dështuar që të prodhojë një forcë politike që i përket qoftë militantëve të tij.

Nuk është rastësi që sallat e takimeve që thërret Enkelejd Alibeaj janë më të plota dhe ngrohta se sa takimet e stisura të Sali Berishës. Nuk është aspak e çuditshme që socialistët ishin sot të lumtur që kishin në sallë Sali Berishën dhe një PD që është kthyer disa hapa pas ngaqë e kuptuan se nuk ka rrezik për pushtetin e tyre.

Kjo, qe një vdekje parlamentare e Foltores. Një vdekje që e paratha dhe ai punimi serioz i ISP që na paralajmëroi se si yjet e Foltores nuk janë vetëm se një grup deputetësh që ndoqën Berishën me shpresën t’i marrin militantët por që bashkëndajnë me të rrugën për në greminën politike. Suksese!

Latest articles

Related articles