Cigarja elektronike nuk është më e shëndetshme se cigarja e mbushur me duhan.
Një studim i kryer së fundmi me minjtë zbuloi se cigarja elektronike dëmton AND-në, rrit rrezikun e prekjes nga kanceri dhe atë të sëmundjeve të zemrës.
Studiuesit e Universitetit të Nju Jorkut arritën në përfundimin se duke dëmtuar AND-në dhe duke penguar riparimin e saj, tymi i cigares elektronike nxit kancerin e mushkërive dhe atë të fshikëzës, si dhe sëmundjet e zemrës.
Megjithatë, studiuesit thonë se ky studim duhet thelluar për të patur një përgjigje përfundimtare.
Cigarja elektronike lëshon nikotinë pa djegur duhan.
Kjo nikotinë e thithur nga cigarja elektronike mund të kthehet në kimikat të rrezikshëm që dëmton AND-në.
E konsideruar deri tani si një alternativë më e shëndetshme e duhanit, cigarja elektronike përdoret nga 18 milionë njerëz në SHBA.
Studimi në fjalë ka ngritur pikëpyetjen nëse mund t’i konsiderojmë të sigurta këto lloj cigaresh.