Nisma e paqes e presidentit kinez Xi Jinping dhe takimi i ministrit të jashtëm kinez me presidentin rus Vladimir Putin, do të shkaktojnë shqetësim tek strategët perëndimorë, si dhe liderët në Ukrainë, NATO dhe Shtetet e Bashkuara. Çdo ndihmë në shkallë të gjerë nga Kina për Rusinë do të rezultonte në një ndryshim të rëndësishëm në luftë.
Por pse do ta bënte Kina këtë?
Së pari. Kina po studion luftën ruso ukrainase nga pikëpamja e përfshirjes së NATO/SHBA në konflikt, nga dimensioni diplomatik deri tek dimesioni ushtarak. Në këtë logjikë mbështetja e mundshme kineze për Rusinë do të sinjalizonte planet e Pekinit për agresion kundër fqinjëve të saj, përfshirë Tajvanin.
Ka shumë të ngjarë që qeveria kineze po stimulon një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara dhe NATO për të vlerësuar reagimin e tyre ndaj lëvizjeve të tilla. Dhe ndërsa këto janë situata të ndryshme të paparashikuara, Kina dëshiron të ketë një nivel besimi në mënyrën se si Perëndimi mund të përgjigjet në vazhdën e çdo agresioni të ardhshëm, duke përfshirë një lëvizje ndaj Tajvanit.
Së dyti, Kina nuk ka interes që lufta në Ukrainë të përfundojë së shpejti.
Në të vërtetë, ashtu si Iraku dhe Afganistani shpërqëndruan SHBA-në nga Paqësori në dy dekadat e fundit, Kina do të preferonte që SHBA-ja dhe Evropa të vazhdonin t’i ofronin armët e tyre më të mira Ukrainës dhe të mbeten të preokupuar në Evropë.
Një luftë kaq e gjatë, një katastrofë për popullin ukrainas, do të ishte një fitore e favorshme në llogaritjen brutale të Partisë Komuniste Kineze dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore.
Së fundi, nuk është në interesin e Kinës që Rusia të humbasë. Një humbje për Rusinë do të shihej si një sfidë e rëndë për narrativën e Xi-t për një rënie të Perëndimit. Mund të ndikojë gjithashtu në gatishmërinë e shumë njerëzve në “jugun e globit” për të krijuar lidhje më të ngushta me Kinën dhe për t’u larguar nga vendet perëndimore.
Si mund ta ndihmojë Kina Rusinë?
Ka shumë të ngjarë që kinezët t’i kenë ofruar Rusisë inteligjencë strategjike vitin e kaluar.
Ndërkohë që Ushtria Çlirimtare Popullore do të ketë informacione të kufizuara në fushën e betejës për të dhënë, ajo do të ketë mbledhur informacione mbi vendimmarrjen në kryeqytetet perëndimore, si dhe informacione mbi armët perëndimore dhe nivelet e prodhimit. Pjesa më e madhe e kësaj mund ti jetë dhënë Rusisë.
Kina gjithashtu ka ofruar ndihmë ekonomike për Rusinë përmes blerjes së naftës dhe furnizimeve të tjera energjetike. Që nga fillimi i luftës, Kina ka importuar naftë, gaz dhe qymyr me vlerë mbi 60 miliardë euro (rreth 94 miliardë dollarë). Këto fonde kanë ndihmuar në mbajtjen e ekonomisë ruse në këmbë dhe kanë lejuar Putinin të financojë luftën e tij të egër kundër Ukrainës.
Ndihma shtesë mund të përfshijë municione dhe sisteme armësh precize, duke përfshirë dronët. Të dyja palët në luftën e Ukrainës kanë konsumuar municione në një shkallë që asnjëra nuk mund të përballojë me prodhimin vendas. Ukraina ka qenë në gjendje të tërheqë stoqet perëndimore municionesh dhe armësh. Rusia ka marrë disa stoqe municionesh nga Koreja e Veriut.
Sigurisht, strategët kinezë gjithashtu do të balanconin këto përfitime të mundshme me ndikimet e mundshme negative.
Një ndihmë e tillë do të përforconte prirjen negative në marrëdhëniet SHBA-Kinë. Do të ofronte gjithashtu një mundësi të paçmuar për Perëndimin për të mbledhur dhe shfrytëzuar njohuritë e armëve dhe municioneve kineze. Kina do të dëshironte ta shmangte këtë, veçanërisht nëse ajo ka bërë bllof për cilësinë e armëve të saj të reja.