Me vendim të kryeministrit grek janë shpallur tre ditë zie kombëtare për viktimat e aksidentit të trenit në Tempe nga data 1 mars deri më 3 mars 2023, me flamuj në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike dhe pezullim të festimeve publike.
Numri i të vdekurve të konfirmuar nga përplasja e trenit në afërsi të Tempit deri më tani ka arritur në 38, ndërsa 85 të plagosur, nga të cilët 66 të shtruar në spital (gjashtë në Repartin e Kujdesit Intensiv), sipas informacioneve të fundit nga përfaqësuesi për shtyp i Zjarrfikësve, Vassilis Vathrakogiannis.
Megjithatë, ekziston frika se numri i të vdekurve do të rritet pasi disa persona janë bllokuar në vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, ku po zhvillohen operacionet e shpëtimit.
Me urdhër të Prokurorit të Gjykatës së Lartë, Isidoros Dogiakos, mbikëqyrja e të gjithë hetimeve paraprake për tragjedinë e Tempes i është besuar kreut të Prokurorisë së Apelit të Larisës, Stamatis Daskalopoulos.
Treni i pasagjerëve që shkonte drejt Selanikut u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që po shkonte në drejtim të kundërt. Dy trenat, në rrethana të panjohura, lëviznin në të njëjtën linjë, gjë që çoi në përplasjen e ashpër.
Aktualisht ka shumë pyetje pa përgjigje për koordinimin e organeve kompetente në momentin e aksidentit, duke nxjerrë në pah, në mënyrën më tragjike, çështjen e funksionimit të përgjithshëm të rrjeteve hekurudhore në vend.
Sipas mediave lokale, ka një pjesëmarrje të madhe të banorëve të Larisës në procesin e dhurimit të gjakut të organizuar në Sheshin Qendror, në stendën e dhurimit urgjent të gjakut të ngritur nga Kryqi i Kuq në bashkëpunim me Spitalin e Përgjithshëm të Larisës dhe Spitalin Universitar të Larisës.
Mesazhe sensibilizimi për Greqinë
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjet e viktimave të aksidentit tragjik të trenit në Greqi. Me mesazhin e tij në Twitter, Charles Michel thotë: “Mendimet e mia janë me popullin e Greqisë këtë mëngjes. Jam i shokuar nga lajmet dhe pamjet e përplasjes së dy trenave në Tempe. Ngushëllime familjeve të viktimave. Guxim dhe forcë ekipeve të shpëtimit që vazhdojnë punën e tyre të vështirë”.
Ngushëllime nga Ministria e Jashtme e Turqisë
Ankaraja dërgoi një mesazh ngushëllimi për përplasjen vdekjeprurëse të trenit në Tempi.
“Me pikëllim mësuam se shumë njerëz humbën jetën dhe u plagosën në një aksident treni që ndodhi mbrëmë në Greqinë fqinje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme turke. “I shprehim ngushëllimet tona të afërmve të atyre që humbën jetën në këtë aksident tragjik, popullit grek dhe qeverisë greke, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë”, përfundon njoftimi.