Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj rezulton se është gjithashtu i përfshirë në çështjen e Charles McGonigal, ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, i cili është vënë nën akuzë për korrupsion.
Kjo është zbuluar nga një email që është publikuar mbrëmjen e kaluar nga hakerat iranianë të grupit “Homeland Justice”.
Në bllokun e emaileve të parlamentit është hakeruar edhe ai i Fatmir Xhafajt dhe në rubrikën ‘Sent’ (të dërguar) shihet dhe një e-mail që i drejtohet Charles McGonigal, në adresën private të ish-shefit të kundëzbulimit të FBI-së.
Me fjalë të ngrohta ish-kreu i komisionit të Reformës në Drejtësi i uron atij festa të bukura të fundvitit.
Sigurisht që emaili nuk ka ndonjë gjë të veçantë aty, por fakti që Xhafaj i ka dërguar McGonigalit një email urimi, tregon se ai ka pasur njohje me ish-zyrtarin e FBI-së. Xhafaj është deputeti që Rama i ka besuar Reformën në Drejtësi, por a ka lidhje McGonigal me këtë të fundit?
Më 2 mars është vendosur mbajtja e seancës plenare për takimet e kreut të qeverisë Edi Rama me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Seanca do të jetë pa limit kohor dhe çdo deputet do të flasë 10 minuta. Kjo kërkesë e Opozitës u miratua pas një sërë seancash plenare të zhvilluara mes rrëmujës e kaosit. Deputetët kërkonin praninë e Ramës, ndërsa maxhoranca vijonte punimet. Debatet sollën dhe përjashtimin e shumë deputetëve të PD-së.
Ç’ka ndodhur me dosjen e Charles McGonigal?
Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin.
Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal.