Në 17 Janar 2023, Ivzi Hoxha dhe banorë të tjerë të rrugës “5 Maji” në Tiranë, u zgjuan nën zhurmën e fadromave të Bashkisë së Tiranës dhe qindra forcave të Policisë së Shtetit, të cilat kishin mbërritur aty për të prishuar pallatin nr,4. I cili, sipas letrave të kryebashkiakut Erion Veliaj, ishte dëmtuar shumë nga tërmeti. Banorët e kundërshtuan për orë të tëra operacionin policor dhe të Inspektoratit Ndërtimor. Duke deklaruar publikisht se pallati nuk ishte në gjendje aq të keqe dhe se Veliaj po ua prishte shtëpitë për t’i hapur rrugën kullave për oligarkët e ndërtimit pranë tij. Reagimi i banorëve ishte i pafuqishëm përballë forcës së shtetit dhe qytetarët u mblodhën një ditë më pas, në 19 janar, para Bashkisë së Tiranës, ku zhvilluan protestë kundër vendimeve të institucioneve për prishjen e pallatit.
Ivzi Hoxha, si edhe të tjerët, ishte në gjendje të rënduar psikologjike, pasi po shihte se si mjetet e rënda të Bashkisë së Veliajt po i shkatërronin para syve banesën. Ivziut shfaqet në kamerën e televizionit “Ora News” dhe, i tronditur siç ishte, shan me fjalë të rënda kryeministrin Edi Rama, duke i përmendur djalin e vogël, Zahon.