Kroaci, rrugët drejt Dalmacisë vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të motit të keq

Dje pasdite të gjitha rrugët që lidhin veriun e Kroacisë me Dalmacinë kanë qenë të mbyllura për të gjitha automjetet, ndërsa meteorologët edhe për sot kanë paralajmëruar që të mos përdoren këto rrugë për qarkullim.

Gjatë ditës dhe natës së djeshme një numër i madh i udhëtarëve kanë mbetur të bllokuar në rrugët drejt Likës dhe Gorski Kotarit për shkak të borës dhe erës së fortë dhe për këtë arsye, disa pasagjerë janë përkujdesur gjatë natës në qendrat e pranimit në Graçac, Gospiq, Obrovac dhe Knin.

Sipas matjeve të fundit, në Gospiq janë matur 70 centimetra borë. Për shkak të kushteve të jashtëzakonshme të motit, anëtarët e Shërbimit Kroat të Shpëtimit Malor (HGSS) po ndihmojnë banorët në Lika dhe Gorski Kotar.

Për shkak të kushteve jashtëzakonisht të këqija të motit të shkaktuara nga bora në Lika dhe Gorski Kotar, si dhe stuhive të forta me erë dhe uraganeve të herëpashershme në bregdet, aktualisht nuk ka rrugë të hapur për asnjë kategori automjetesh nga drejtimi i Dalmacisë në drejtim të brendshëm dhe anasjelltas, njoftoi sot Autoklubi Kroat (HAK).

Mirëmbajtja e rrugëve është në zhvillim e sipër, ndaj ka vonesa të shpeshta pas automjeteve të servisit dimëror, të cilat lëvizin më ngadalë. Për shkak të erës dhe borës, autostrada A1 Zagreb-Split-Ploçe ndërmjet nyjave Sveti Rok dhe Posedarje është e mbyllur për gjithë trafikun, si dhe shumë rrugë shtetërore dhe qarkore.

Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik (DHMZ) njofton se gjatë ditës së sotme do të mbajë mot me vranësira në brendësi të Kroacisë, kohë pas kohe me reshje të dobëta bore. Në Adriatik do të mbajë mot me vranësira të pjesshme me reshje të kohëpaskohshme shiu, kryesisht në Dalmaci, ndërsa në pjesën veriore, kryesisht në rrëzë të Velebitit, mund të ketë borë të përcjellë nga erëra të forta. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë nga drejtimi verior dhe verilindor, sipas DHMZ-së, ndërsa në Adriatik, në Velebit, në pjesën e parë të ditës do të fryjnë erëra të forta dhe të stuhishme.

Latest articles

Related articles