“Pranoni planin franko-gjerman”/ BE- SHBA thirrje Kurtit dhe Vuçiç përpara takimit

I dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të pranojnë planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve në takimin e dytë për dialogun, i cili do të mbahet me 27 shkurt.

“Plani, që besoj se do të pranohet të hënën, do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme. Pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përpara se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”

Zyrtari i Brukselit tha se në takim do të diskutohet edhe për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

“Gjithçka për të cilën biem dakord nën ndërmjetësimin tim, nuk ka vetëm pjesën politike, por edhe atë që flet qartë se kush është përgjegjës për çfarë, në çfarë afati, kështu që kjo është edhe pjesë e propozimit tonë që do ta diskutojmë të hënën. Pra, plani i zbatimit. Do të kemi të definuar konkretisht se çfarë dhe në cilat afate duhet të bëhet dhe BE-ja do të luajë një rol qendror në monitorimin e përmbushjes së detyrimeve”

Ndërkohë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin qasje konstruktive nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në lidhje me propozimin evropian.

“Ne presim që të dy liderët t’i qasen takimeve në frymën konstruktive të nevojshme për të ecur përpara në përputhje me të” – theksoi Departamenti amerikan i Shtetit në prag të takimit të nivelit të lartë në Bruksel. DASH nënvizoi se është e rëndësishme që Serbia e Kosova të përdorin bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre, për një të ardhme paqësore të rajonit.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të fundit duhet të synojnë njohjen reciproke. Progresi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

I pyetur nëse mund të pritet një përparim apo edhe një pikë kthese pas raundit të ardhshëm të bisedimeve në Bruksel, departamenti amerikan i shtetit u shpreh se është inkurajues fakti që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

Latest articles

Related articles