Presidenti i Institutit Liberal “Pashko”, Preç Zogaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me situatën brenda PD dhe protestën e thirrur më 3 mars, ditë kur gjykata jep vendimin për vulën.
Ai u shpreh se opozita protesta zbeh vendimin,, pasi cilido qoftë ai, edhe nëse është pro Berishës, do shihet si një vendim i marrë nën “presionin” e turmave. Zogaj bëri thirrje për pranimin e vendimit, duke shtuar se opozita ka probleme dhe sfida që tejkalojnë 3 marsin.
“Protestat kanë rëndësi për ti dhënë zë kërkesave e mllefit të qytetarëve në lidhje me vështirësitë në jetën e përditshme, por nuk çojnë në rrëzimin e qeverisë. Ka një kontekst tjetër organizimi i tyre. Mbështetja për to nuk është masive dhe përtej kuadrateve partiake sa të vërë në dyshim e të trondisë ekzekutivit. Qeveria shqiptare ka një mal me akuza por kjo nuk do të thotë se sa të dali një numër njerëzish në protestë, qeveria bie, Me këto lloj protestat nuk e shoh të mundur rrëzimin e qeverisë, aq më tepër që po shkohet drejt zgjedhjeve.
Nëse opozita fiton shumë mbështetje në to, kjo do të jetë një armë në dorën e opozitës, gjë që tani nuk e ka.
Kam mbështetur qëndrimet e PD zyrtare. Gjykata do të vendosë siç vendos gjykata. Predikoj pranimin e vendimit të gjykatës dhe nënshtrimit ndaj saj.
Duke ndjekur gjithë dinamikën e konfliktit në PD, mund të them se gjykata është ftuar për të shqyrtuar sa përputhet kuvendi i 11 dhjetorin me Statutin në fuqi të asaj kohë. Gjykata nuk numëron njerëz.
Ka një konfondim se cili ka më shumë mbështetje, gjykata nuk numëron votues, nuk futet në këtë lojë.
Data 3 mars, datë ku zhvillohen paralel dy ngjarje lidhur me PD. Nuk do kisha dashur që PD të zhvillonte protestë ditën kur jepet edhe vendimi i gjykatës.
Thirrja e protestës në këtë ditë kthen kujtimet e një drejtësie me turmë. Kushdo qoftë vendimi i gjykatës, vendimit do t’i ngelet një damkë se u mor në ditën e mbledhjes së turmës, edhe nëse është pro Berishës. Vendimi duhet pranuar gjithësi cila është. Opozita ka vendime më të rëndësishme se 3 marsi”, deklaroi ai.
Zogaj foli edhe në lidhje me luftën në Ukrainë ndërsa sot shënohet një vjetori i nisjes së agresionit rus.
Ai tha se ka qenë mbështetja e Perëndimit, me armë, logjistike dhe sanksione ndaj Moskës dhe shteteve që e mbështesin, ajo që ka ndihmuar qëndresën e ukrainasve.
“Putin synonte t’i impononte Perëndimit autokacinë e donte të shtrihej në kufijtë mitikë të Rusisë së kohëve të vjetra. Në harkun kohor të një viti të gjitha synimet e tij shihen si dështime. Ka vetëm qindra mijëra të vrarë dhe mijëra shtëpi të shkatërruar.
Rezoluta e OKB shpreh kohezionin e botës në mbështetje të Ukrainës e kundër Rusisë. Në rezolutë rikonfirmohet integriteti territorialiteti i Ukrainës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht dhe i kërkohet Moskës të tërheqë trupat.
Zelensky, personazhi që mishëron epopenë e kombit të tij. Ka fituar simpatinë e Perëndimit. Ukraina ka patur mbështetje të SHBA dhe vendeve të tjera demokratike, me armë ushqime municione logjistikë, gjithçka ë ka mundësuar qëndresën jo vetëm për lirinë e vet, por për interesat e demokracisë në mbarë botën.
Regjimi i Putini i ka hedhur dorashkën demokracisë. Ky vit është vendimtar. Shpresojmë të sjellë paqe në Ukrainë të vendosur mbi të drejtën e popullit për të mbetur të lirë e të pavarur në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
Komuniteti i vendeve demokratike ka kombinuar sanksionet me mbështetjen me armë. Sanksionet kanë dhënë rezultat ndryshe nga sa pretendon Moska.
Nga studimet, ekonomia ruse po ikën drejtë kolapsit. Putini kishte planifikuar të mbante peng Europën me gazin, por SHBA dhe BE ia dolën që duke vënë në lëvizje mekanizmat e tregut të lirë të dalin nga varësia ruse. Dikur bënin ironi në Rusi se Europa do ngrinte, por qeveritë e Europës gjetën zgjidhje alternative për të mundësuar një jetesë normale për qytetarët e tyre”, u shpreh Zogaj.