Policia e Shtetit/ Vijojnë operacionet e përbashkëta me homologët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet një tjetër operacion policor i përbashkët me homologët gjermanë, i koduar “Second”.
Kapet në Gjermani dhe arrestohet me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, një 45-vjeçar shqiptar i kërkuar prej vitesh.
45-vjeçari, i dënuar me 15 vjet burgim, për vrasje me paramendim dhe armëmbatje pa leje.
Në kuadër të bashkëpunimit mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Policisë gjermane, falë sigurimit të informacionit përmes inteligjencës informative dhe shkëmbimit të tij në kohë reale mes dy palëve, në kuadër të operacionit policor të koduar “Second”, Policia gjermane kapi dhe vuri në pranga shtetasin:
Marlen Tome (Toma), 45 vjeç, banues në Durrës. Gjykata e Shkallës Parë Durrës e ka dënuar këtë shtetas, me 15 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Në vitin 1998, në një lokal nate në Durrës, shtetasi Marlen Tome, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri, rojën e lokalit, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Wiesbaden/Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e këtj shtetasi drejt vendit tonë.