Një gjerman bëhet personi i pestë në botë që është shëruar nga HIV

Shkencëtarët kanë njoftuar se një 53-vjeçar nga Dyseldorfi i Gjermanisë është shëruar nga HIV. Detajet e rastit i ka prezantuar dr. Bjorn-Erik Ole Jensen në botimin “Nature Medicine”.

Burri është referuar si “Pacienti nga Düsseldorf” për të mbrojtur privatësinë e tij. Shkencëtarët thonë se rasti i gjermanit është rasti i pestë i shëruar nga HIV, shkruan abcnews.

Edhe pse detajet e trajtimit të suksesshëm u publikuan për herë të parë në konferencën e vitit 2019, shkencëtarët nuk mund të konfirmonin se pacienti ishte shëruar zyrtarisht në atë kohë.

Sot ata njoftuan se pacienti nuk ka më asnjë virus të dukshëm në trupin e tij, edhe pas ndërprerjes së mjekimit për HIV, katër vjet më parë.

“Është vërtetë një kurë. Ky rast na jep shpresë, por ka ende shumë punë përpara”, tha Dr. Jensen. Për shumicën e njerëzve, HIV është një infeksion i përjetshëm dhe virusi nuk zhduket plotësisht. Falë ilaçeve moderne, njerëzit me HIV mund të jetojnë gjatë dhe shëndetshëm”.

Pacienti nga Dyseldorfi i bashkohet një grupi të vogël njerëzish që janë shëruar në rrethana ekstreme pas një transplanti të qelizave staminale, i cili zakonisht kryhet vetëm tek pacientët me kancer që nuk kanë mundësi të tjera.

Transplanti i qelizave staminale është një procedurë e rrezikshme, e cila zëvendëson në mënyrë efektive sistemin imunitar të një personi. Synimi parësor është shërimi i pacientit nga kanceri, por procedura ka sjellë edhe shërimin e HIV-it, në disa raste. Megjithatë, transplantimi i qelizave staminale është një procedurë e ndërlikuar që mbart shumë rreziqe.

HIV hyn në qelizat e sistemit imunitar dhe i shkatërron ato. Pa trajtim, SIDA mund të zhvillohet. Një person me SIDA nuk mund të luftojë as një infeksion të vogël.

Me barnat moderne, të sëmurët me HIV mund të jetojnë shumë vite ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar kërkime që studiojnë parandalimin e infeksionit me vaksinën e HIV-it.

Latest articles

Related articles