R.SH. / Vatikan
“Përpjekjet e bëra për të përdorur AI (Inteligjencën artificiale) në ushtri duhet të shoqërohen nga përpjekja edhe më e madhe për të fuqizuar zemrat dhe mendjet tona, që t’i shmangin krejtësisht konfliktet”. Këtë e theksoi Francesca Di Giovanni, nënsekretare për sektorin shumëpalësh të Seksionit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, kryetare e delegacionit të Selisë së Shenjtë, e cila foli sot në Hagë gjatë një samiti me temë “Inteligjenca artificiale përgjegjëse në fushën ushtarake”.
Realiteti nuk mund të katandiset në shtirje
Tashmë të flasësh për inteligjencën artificiale “të përgjegjshme”, shpjegon Di Giovanni, duket kontradiktore. Selia e Shenjtë “ripohon nevojën urgjente për ta ruajtur dhe për ta justifikuar ndryshimin ndërmjet njerëzve dhe objekteve”. Sistemet e bazuara në AI “nuk mund të mendojnë, të ndjejnë, të vendosin a ta marrin mbi vete përgjegjësinë për veprimet e tyre, pasi u mungon impulsi moral”. Shumë-shumë ata munden vetëm të zbatojnë udhëzimet dhe të simulojnë sjelljen, ndërsa “realiteti nuk mund të reduktohet kurrë në një simulim të vetvetes”.
Çdo sulm i armatosur duhet të llogaritet mirë dhe të legjitimohet
“Nëse kompetenca të rëndësishme vendimarrëse për përdorimin e forcës i jepet një sistemi armësh, sjellja e të cilit është e paparashikueshme e qëllimet e përdorimit të të cilit nuk janë të përcaktuara ose të njohura mirë” – shembulli është ai i sistemeve autonome të armëve të pajisura me aftësi të vetë-përdorimit. – “Do të rrezikohej në mënyrë të pashmangshme lidhja vendimtare ndërmjet ‘veprimeve’, efekteve dhe përgjegjësive”, sidomos sepse – ripohon Selia e Shenjtë – çdo sulm i armatosur duhet peshuar, duke e provuar me shumë kujdes legjitimitetin e tij “.
Promovoni AI për të reduktuar pabarazinë
Kjo nuk do të thotë se Selia e Shenjtë synon të pengojë kërkimin, zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive. Përkundrazi, këto duhet të orientohen, “drejt një horizonti më të përshtatshëm dhe më të dobishëm, i cili nuk bazohet vetëm me kriteret e dobisë apo efikasitetit, por është gjithnjë në shërbim të së mirës së përbashkët të njerëzimit – për njerëzimin, duke respektuar dinjitetin e njeriut dhe duke favorizuar zhvillimin integral njerëzor”. Për këtë arsye, këshillohet krijimi i një agjencie ndërkombëtare për inteligjencën artificiale, me qëllim promovimin e përdorimeve paqësore të saj në fusha të ndryshme civile, për të reduktuar pabarazitë dhe për të parandaluar përdorimet e dëmshme, duke kufizuar edhe pasojat e padëshiruara.