“Ç’është ky revolucion demokratik që do të bëni ju?!”/ Ylli Rakipi debat me Luçiano Boçin për aksionin e opozitës

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku foli për aksionin e opozitës, e cila ka nisur protestat në prag të zgjedhjeve lokale.

Boçi u pyet nga Ylli Rakipi lidhur me deklaratat e Sali Berishës se “Edi Rama nuk mundet me votë”.

Sipas deputetit, Rama nuk mundet vetëm me votë por duhet “reagim politik dhe shoqëror i thellë”.

Ai gjithashtu foli për gjyqin që po zhvillohet për vulën e Partisë Demokratike, të cilin e quajti “të stisur” dhe të ndikuar nga pushteti.

Luçiano Boçi: Nuk ka një çështje juridike. Ankimimi në apel është nul. Kemi një stisje të një pale ankiminuese që është në apel. Autori i stisjes së kësaj situate është Rama, sepse kërkon të shfokusojë vëmendjen nga skandali i tij dhe kërkon që opozita të merret me veten. Ngjarja juridike është nul. Rama me ndikimin e tij, pasi ka korruptuar ndërkombëtarët, ka korruptuar edhe sistemin e drejtësisë. Ai do të bëjë këtë krijimin e ngjarjes.

Ylli Rakipi: Ja ndodhi dhe gjykata rrëzon vendimin e shkallës së parë dhe vula i mbetet Alibeut dhe Bashës?

Luçiano Boçi: Nuk flas dot me supozime. Unë flas për realitetin politik. Ky do të jetë vendim quasi politik. Këtë të vërtetë na takon ta transmetojmë. Ne jemi në momentin e kërkesës për asgjësimin e opozitës. Ne duhet të revoltohemi dhe kjo nuk duhet të ndodhë.

Ylli Rakipi: Mendon njëlloj si Berisha, që Rama nuk rrëzohet me votë?

Luçiano Boci: Edi Rama nuk mundet vetëm me votë. Duhet angazhim politik, social, në atë që Berisha e konsideron revolucion paqësor. Duhet angazhim tërësor i shoqërisë për të rrëzuar një regjim. Duhet një lëvizje më e gjerë. Duhet një lëvizje e thellë shoqërore.

Ylli Rakipi: Çfarë është revolucioni demokratik?

Luçiano Boçi: Revolucioni është ndryshim sistemi. Sot jemi në sistem korruptiv, jo demokratik. A duhet ndryshuar sistemi korruptiv? Po. Me çfarë? Jo vetëm me votë. Duhet reagim politik dhe shoqëror i thellë.

Latest articles

Related articles