Nga Ergys Mërtiri
Shtatorja e Enver Hoxhës u rrëzua 32 vjet më parë, por enverizmi, në formën e kulturës totalitare, mendësisë së nënshtrimit dhe adhurimit të liderëve politikë jeton ende tek shqiptarët.
Krimet nuk u dënuan, dosjet nuk u hapën, të vërtetat nuk u zbardhën dhe nuk u rrëfyen siç duhet. Jo vetëm kaq, por xhelatët vazhdojnë të jenë me pushtet e para, të pashqetësuar, të paturpëruar dhe të papenduar për poshtërsitë e së shkuarës. Indiferenca ndaj krimit, korrupsionit, padrejtësisë bën që e keqja të brendësohet dhe të shihet si mjet suksesi. Sot, ashtu si enveristët, militantët nuk i dënojnë liderët e tyre për padrejtësitë, korrupsionin, keqqeverisjen.
Enverizmi si mendësi, si prirje drejt kultit të individit, mbijeton majtas dhe djathtas tek militantët e të dyja palëve. Enverizmi rron tek ramizmi dhe berishizmi. Njëra palë e quan liderin e vet skenderbe, tjetra legjendë, pa çka se të dy këta janë përgjegjësit kryesorë të degradimit të këtij vendi në këto tre dekada. Nevoja për të pasur heronj, gjeninj, legjenda, është tipar i njerëzve të vegjël që kanë nevojë të lartësohen nëpërmjet kultit të cilit i përulen. Edhe nëse lideri i tyre është vërtetë i madh, ky epsh idhujtarie tregon vogëlsin dhe banalitetin politik të atyre që e ndjekin, lëre më kur ky lider është Rama apo Berisha.
Enverizmi në variantet e post-komunizmit pengon që politika shqiptare të bëhet më normale, më racionale dhe më pranë qytetarëve. Ai pengon që mjedisi politik të rigjenerohet, por ndikon vetëm që ai të degjenerohet duke shkatërruar çdo embrion të një politike të re të mundshme.
Siç kam thënë dhe më parë rrëzuam enverin, por jo enverizmin ndaj dhe boshllëkun e mbetur nga shtatorja e rrëzuar do vazhdojmë ta mbushim me heronj banalë të korruptuar si këta që kemi sot, deri sa një brez tjetër, i çliruar nga logjika totalitare e prindërve, të mund të krijojë një realitet tjetër, më normal dhe më human.