Ditar i luftës: SHBA kontaktoi Moskën përpara vizitës së Biden në Kiev

Shtëpia e Bardhë njoftoi sot se kishte qenë në kontakt me Rusinë para vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Kiev për të shmangur çdo incident që mund të çonte në një konflikt të drejtpërdrejtë midis dy fuqive bërthamore.

Pa hyrë në detaje, Shtëpia e Bardhë vetëm deklaroi se pak para mbërritjes së Biden në Kiev, kishte “komunikim bazë me rusët” për të siguruar që nuk do të kishte incidente, raportojnë mediat amerikane.

Presidenti amerikan Joe Biden, i cili sot zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në Kiev në Ukrainë, përcolli mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe komunitetit ndërkombëtar.

Presidenti amerikan tha se: Jemi këtu një vit më vonë, Kievi mbijetoi, Ukraina mbijetoi dhe demokracia mbijetoi. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Biden ka dashur të ishte në Kiev sot për të kujtuar përvjetorin e parë të pushtimit. Një prani simbolike; një mënyrë për të siguruar aleatët se Uashingtoni mbetet i angazhuar. Një mesazh i drejtpërdrejtë për aleatët dhe rivalët. Shuma totale e ndihmës amerikane të miratuar për Ukrainën që nga fillimi i luftës ka kaluar 100 miliardë dollarë.

Koha e vizitës është në fakt vendimtare, sepse Moska ka nisur një ofensivë të re, e cila duket se nuk ka ecuri të madhe për momentin, por mund të ketë ritëm në pranverë.

REAGIMI i MOSKËS

Zyrtarët dhe mediat shtetërore në Rusi po e kritikojnë vizitën e papritur të sotme të presidentit amerikan Joe Biden në Ukrainë, duke deklaruar se autoritetet në Kiev janë një “kukull amerikane” dhe duke argumentuar se forcat ruse do të fitojnë edhe pse Uashingtoni premton të armatosë më shumë forcat ukrainase.

Televizioni shtetëror rus mbuloi gjerësisht vizitën e Bidenit, me drejtuesit e televizionit që thanë se ishte e qartë se Biden po “i drejtonte gjërat” në Ukrainë, duke përputhur narrativën e Kremlinit për Zelenskyn si një kukull të administratës amerikane.

Komentuesit vlerësojnë se Biden ka nisur kandidaturën e tij për një mandat të ri presidencial me vizitën në Kiev.

Televizioni shtetëror rus tha se Biden kishte marrë garanci sigurie nga Moska përpara vizitës së tij në Kiev.

Këshilltar i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së Jake Sullivan tha sot se qeveria amerikane informoi Moskën për vizitën e Biden pak përpara nisjes së tij në Ukrainë “për arsye dekonflikti”, për të shmangur çdo gabim që mund t’i sjellë dy superfuqitë bërthamore në konflikt të drejtpërdrejtë.

Analisti politik pro-qeveritar Sergej Markov në një emision politik në televizionin “Russia 1”, ai tha se “të gjithë e dinë se nëse Rusia thotë se nuk do të synojë Kievin gjatë vizitës së një burri shteti – kjo do të thotë se nuk do të ndodhë kurrë, sepse e mban fjalën dhe është ana e të mirës dhe të qytetëruarit”.

Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus dhe ish-presidenti i vendit, Dmitri Medvedev, shkroi në rrjetin social Telegram se Biden mori “garanci sigurie” dhe shtoi se presidenti amerikan “tregoi besnikëri ndaj regjimit neo-nazist”.

Latest articles

Related articles