Është konstatim fatalist historik që ditën e rrëzimit të monumentit të diktatorit Hoxha, të bësh një bilanc të “enverizmit” mes nesh. Fryma, metodologjia e tij për të mbajtur pushtetin me çdo mjet në rrethanat e “demokracisë dhe pluralizmit”, ka vdekur apo është ende gjallë?!
Busti ju bë skrap, trupi është konsumuar si ushqim për krimbat me kohë aty në Sharrë, por shpirti i “Enverit demokratik”, ka gjetur trupa nëpërmjet të cilëve vazhdon misionin e tij. Ka qenë mes nesh për 32 vite plot dhe vazhdon të rezistojë, me të gjitha mjetet makiaveliste që di.
Nuk po merremi këtu me Edi Ramën, sepse prej kohësh ai nuk e fsheh, që metodologjia e tij në kalcifkimin e pushtetit personal në habitatin e “demokracisë” është ajo e diktatorëve të maskuar si “modern”: Elimino kundërshtarët, bliji kur të duhen, ti shantazhoj me të kaluarën, me cene, mëkate, dosje, përqendro të gjitha pushtetet te grushti yt, ngri kultin tënd dhe kurrë mos harro se “qëllimi justifikon çdo mjet”.
Më 20 shkurt të vitit 1991 shqiptarët çliruan veten e tyre nga zinxhirët e pushtimit më barbar të mendjeve, shpirtrave dhe lirive të tyre. Ata me zvarritjen, prerjen e kokës së shtatores së diktatorit i bënë gjyqin publik antikrishtit të historisë së tyre tiranit…Por 20-ta është dhe dita e shembjes së busteve të gjalla…
Këto fjalë i ka shkruar, Sali Berisha, plot 31 vite pasi u fut dhe mori frenat e lëvizjes demokratike të shqiptarëve dhe vazhdon që ta mbajë peng dhe në agoni permanente.
Flet për shembjen e “busteve të gjalla” tre dekada më parë, ndërkohë që vetë i ka mbirë demokratëve dhe shqiptarëve si një monument madhështor i tranzicionit korruptiv dhe kriminal.
Pas shpalljes “non grata” dhe përjashtimit nga grupi parlamentarë dhe më pas nga Partia Demokratike, thelbi nuk ishte largimi nga skena e individit dhe politikanit Sali Berisha, por vrasja e berishizmit. Çfarë është berishizmi?!
Enverizëm në kushtet e tranzicionit dhe të një demokracie hibride!
Mjafton të bësh listën 32 vjeçare, që nga themeluesit e PD-së pa përjashtim dhe çdo individi, i cili ka tentuar të fusë frymën perëndimore në PD. Masakër me “të vrarë”, të përjashtuar, të “internuar”, të denigruar deri në asht dhe shpesh edhe fizikisht brenda partisë nga Berisha dhe berishizmi. Edhe Enveri vetë, do të ishte krenarë.
Shihni edhe sot si trajtohet mendimi ndryshe apo kundërshtari politik nga berishizmi. Enveri ndoshta do të ndihej “inferior”.
E vërteta është që Sali Berisha 32 vite më parë, nuk e vrau Enverin brenda vetes. Përkundrazi e sofistikoi, (por trashë në fakt), në kushtet e “demokracisë”. Ky Sali me Enverin përbrenda krijoi rrugës liderin, kultin Berisha, të cilin me mënyrat më bizantine dhe djallëzore e ngjizi brenda trupit dhe mendjes së shumë demokratëve ndër vite.
Fatkeqësisht sot kemi një Enver në trupin e Berishës dhe Saliun brenda trupit dhe mendjes së një pjese të demokratëve.
Lëngimi i Partisë Demokratike, (edhe i PS-së nga ana tjetër), në thelb ka pikërisht këtë shkak:
Saliun me Enverin brenda, jo vetëm ata që i janë bashkuar Foltores, por as shumica e atyre që kanë dalë hapur apo indirekt kundër Berishës brenda PD-së properëndimore, ende nuk e kanë vrarë.
Për tre ditë rresht që nga e shtuna, deri ditën e diel të javës që iku, Lulzim Basha, u shfaq për festën e pavarësisë së Kosovës në shumë televizione. Dalja e tij publike pas të paktën 13 muajve, krijoi një kontrast verbues me daljet e përditshme të Sali Berishën, Edi Ramës dhe enturazheve të tyre.
Këta nxijnë dhe ngërçi që ju shkakton përpëlitja për mbijetesë e Enverit që kanë brenda, ju reflektohet te retorika e egër denigruese, sytë e kuq dhe fytyrat e vrerosura gjithmonë në ngërç.
Basha në kontrast të plotë shkëlqente dhe përhapte një paqe, që duket sikur e ka gjetur më në fund, të paktën për veten dhe familjen e tij. Ky shkëlqim, kjo paqe, të kujton gjendjen e atyre individëve, pasi kanë kryer me sukses të plotë, një seance egzorcizmi.
Për ata që nuk e dinë, Ekzorcizmi është një praktikë fetare ose shpirtërore për dëbimin e demonëve, xhindëve ose entiteteve të tjera shpirtërore keqdashëse, nga trupi i një personi për të cilin besohet të jetë e pushtuar prej tyre.
Nëse ju kujtohet, Lulzim Basha, pasi nisi aksionin për çmontimin e berishizmit nga PD, tha se që nga dita e parë që u zgjodh kryetar i PD-së e deri ditën e përjashtimit të Berishës nga partia, kishte qenë në një gjendje “dualizmi”.
Nuk donte shumë mend për të kuptuar se po thoshte që brenda Lulzim Bashës, me hir a pa hir, kishte gjetur strehë një Berishë i cili nga ana vetë, kishte përbrenda një Enver.
Koha do ta tregojë, nëse Basha e ka kryer të plotë ekzorcizmin e tij dhe ka “vrarë” e dëbuar nga vetja përfundimisht Berishën, që ka Enverin brenda.
Çështja është që këtë proces, sado i dhimbshëm qoftë, duhet ta bëjnë të gjithë demokratët. Veçanërisht ata properëndimorët të cilët vërtet po i qëndrojnë përball berishizmit, por ende mbajnë përbrenda Saliun.
Po nuk vranë Saliun që kanë brenda, atëherë le të vazhdojnë të bashkëjetojnë me Enverin e gjallë dhe ti gëzohen çdo 20 shkurt, bronxit që hoqën zvarrë!