Busti, një betejë që kërkon ende sakrifica – REDAKSIONALE

Liria, shprehej Ronald Reagan, është gjithnjë një hap larg zhdukjes. Shqipëria është mbase një vend që e jetëson këtë realitet më shumë se kushdo tjetër. Që nga rënia e bustit të Enver hoxhës në vitin 1991, Shqipëria nuk ka mundur të gjejë një balancë të duhur në lidhje me lirinë e saj dhe hijen e një totalitarizmi stalinist që e ka persekutuar sa në formën e heronjve aq edhe në formën e pasardhësve të diktatorit.

Shtatorja e madhe e Enver Hoxhës nuk u shku lehtësisht nga zemra dhe dashuria e shqiptarëve. Në fillim ishin begsat e Shkollës së Bashkuar që i thërritën armëve për ta rikthyer atë ndërsa këndonin se qenë vullnetarët e Enver Hoxhës, të gatshëm të hanin bar për të mos mposhtur idealet e tyre marksiste-leniniste. Të vendosur në një hapësirë që për to nuk kishte as vend dhe as kohë, atyre u rrekte mendja që ishin në botën e ndërtimit enverist. Ndërsa nuk kuptonin që koha kishte ndryshuar, që SHBA kishte fituar luftën e ftohtë dhe që demokracia dhe kapitalizmi kishin dalë fitimtarë përballë diktaturës së proletarëve (pra bllokmenëve) dhe marksizmit ekonomik.

Pastaj, kur e kuptuan që ishin pakicë nisën të divulgojnë leksionet e tyre dhe rrjetin e tyre përmes ish anëtarëve të Sigurimit të Shtetit që ndërtuan mafiat e para në vendin tonë. Ndërsa politika, e rijetësoi enverizmin dhe shtatoren e tij në shpirtin politik që ndërtoi në vendin tonë. Nuk bëhet fjalë për sekretarë partie të konvertuar befas në demokratë, pasi koha dhe momenti qenë të tillë që i japin jetë atyre. Më shumë, e gjithë kjo histori duhet vendosur në kornizën e mentalitetit dhe manualit politik që ato kanë zbatuar.

Historia, do t’i shënojë gjithë aktet dhe veprimet e tyre ndërkohë që implementojnë leninizmin për të zaptuar partitë politike apo qasjet enveriste për të ndërtuar shtetin dhe institucionet. Ndërsa sheh se si nxënësit e Enver Hoxhës ushtrojnë secili nga një prej veseve dhe gjesteve diktatoriale të njeriut që ngriti shtatoren për t’i sunduar shqiptarët pas vdekjes.

Prandaj kuptimi i 20 shkurtit është më i madh se sa ne mund të kuptojmë ndërsa hija e statujës fizike qendron jo para syve tanë. Thuajse gjithçka, çdo taktikë që Enver Hoxha ka përdorur në ato vite po ripërdoret sot me të njëjtin temp, fjalë dhe gjestikulacion. Nga keqpërdorimi Kosovës për hallin e tij me shqiptarët, tek kthimi Shqipërisë në kështjellën e pamposhtur të imperializmit anglo-amerikan e deri tek guvernatorët që vijnë na qeverisin dhe sovranizmin me konotacione staliniste.

Koha është që ne të veprojmë edhe një herë për ta rrëzuar tanimë bustin brenda vetes. E qartë, ky është një ushtrim i përditshëm që duhet të bëjë çdo shqiptar i lindur në kohën e Qoftëlargut apo pak pas tij. Por, është detyrë e çdo gjenerate që të lëshojë shenjën e saj në këtë luftë përballë të keqes së statujës që ende kontrollon mendjet dhe shpirtin e shqiptarëve përmes nxënësve të tij.

Latest articles

Related articles