NGA NEBIL ÇIKA
Berisha ka intensifikuar sot sulmet ndaj ambasadores së SHBA me akuza të rënda se “ka kërcënuar biznesmenët që i jepnin lekë atij.”
Këto janë akuzat më të rënda nga politika shqiptare ndaj një përfaqësuesi të Presidentit të SHBA që nga koha e Harri Fults në 1945.
Janë të njëjtat arsye dhe e njëjta retorikë.
Enver Hoxha sulmonte Amerikën se nuk e njihte qeverinë e tij, Sali Berisha sulmon ambasadoren përfaqësuesen personale të Presidentit dhe Departamentit të Shtetit të SHBA se e ka nxjerrë “non grata” familjarisht.
Ka ndryshuar vetëm koha, gjuha dhe arsyet janë të njëjta, pushteti personal dhe interesat familjare të një personi.
Enver Hoxha sulmonte SHBA për t’u bërë qejfin armiqve si Rusisë dhe Kina, nga të cilat merrte përkrahje e mbrojtje.
Të njëjtën gjë synon edhe Berisha, të marrë përkrahjen e forcave anitamerikane në botë dhe në Shqipëri të cilat edhe sot janë po ato të kohës së Enver Hoxhës.
Berisha qartësisht i ka shpallur luftë SHBA, kush nuk e kupton dot këtë është idiot, kush e kupton por e mbështet me ndërgjegje është qartësisht antiamerikan.
Enver Hoxha thoshte se ishte kundër qeverisë reaksionare të SHBA, por kishte në krah popullin amerikan të njëjtën gjë po thotë edhe Sali Berisha .
Por ndryshe nga Enver Hoxha që drejtonte një Shqipëri të vendosur zyrtarisht në kampin antiamerikan Traktatin e Varshavës , Shqipëria e kohës së Berishës është anëtare e NATO, organizatës që i krijua e drejtohet nga SHBA gjë që nuk i jep mundësi Berishës të përfitojë nga antiamerikanizmi i modelit enverist atë që përfitoi shpikësi i tij.
Ashpërsimi i retorikës antiamerikane prej Berishës, tregon gjendje të dëshpëruar, mëshirë politike, në kushtet që i ka humbur të gjitha shpresat e rikuperimit të mundshëm të marrëdhënieve me ta.
Efektet e politikës së tij antiamerikane po i ndjen edhe në numra në mbështetje. Shpresa e vetme e Berishës për tu imponuar në politikë me marrjen e vulës së PD nga gjykata në 3 mars, por me sa duket është një mision i pamundur, kështu Berisha e ka mbledhur mendjen për këtë gjë.
Tani përgatiti alibinë e tij të radhës për mbështetësit fanatikë duke akuzuar “armikun e jashtëm”, ambasadoren e SHBA për komplot të vazhdueshëm ndaj tij.
Në fakt, nuk ka asnjë arsye që ambasadorja Kim, të ketë nevojë të kërcënojë fshehur biznesmenët që sponsorizojnë Berishën, se ajo dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë e kanë bërë të qartë publikisht se, ata qe mbështesin Berishën nuk kanë punë me ta.
Në këto kushte kush e mbështet atë politikisht apo financiarisht e ka ndarë mendjen të bëhet palë me revolucionin, intifadën e Berishës kundër SHBA.
Kush nga këta që mbështesin Berishën mendon se mund t’ia hedhë Amerikës me justifikime të tilla si “sovranitet, demokraci” etj, gënjejnë veten.
Presidenti amerikan e ka shpallur korrupsionin si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA dhe e ka shënuar edhe Berishën si të tillë, pra si një kërcënim të sigurisë së tyre kombëtare.
Çfarë mendojnë se janë në sy të amerikanëve, ata që mbështesin rrezikun e sigurisë së tyre kombëtare?!
Por ata që kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA, kërcënojnë automatikisht edhe sigurinë e Shqipërisë dhe Kosovës të varura tërësisht nga aleanca dhe ndihma në të gjitha aspektet.
Un nuk besoj se Berisha e ka mundësinë të krijojë një grupim apo frymë politike antiamerikane në Shqipëri, sidomos tek elektorati pro amerikan që ka qenë mbështetës i tij në të shkuarën.
Këto janë përpjekjet e fundit të dëshpëruara të Berishës përpara ngjarjeve të rëndësishme, aktuale e të pritshme, politike e juridike, që po prekin gjithnjë e më shumë interesat e tij. Është një luftë që edhe ai e di që nuk mund të fitohet dot por i vendosur me shpatulla për murit nuk ka mundësi tjetër reagimi e justifikimi.
Intifada antiamerikane nuk është zgjidhje, as revolucioni, jo vetëm Berishën por për askënd në Shqipëri.
Për shkaqe historike e aktuale, shqiptarët në masë janë me të drejtë një popull pro amerikan. Enver Hoxha e imponoi me dhunë dhe ndihmën e padronëve të tij sllavëve komunistë, antiamerikanizmi e tij ideologjik tek shqiptarët, në një botë të ndarë në dysh nga lufta e ftohtë, ne kushtet aktuale gjeopolitike, Berisha dhe askush tjetër ne Shqipëri nuk e ka më një mundësi të tillë