Takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të zhvillohet me 27 shkurt në Bruksel, ka konfirmuar Bashkimi Evropian (BE).
Kjo është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar në uebfaqen e BE-së. Aty bëhet e ditur se edhe Kurti edhe Vuçiq tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Siç njoftohet Borrell bashkë me ndërmjetësin evropian, Miroslav Laçak fillimisht do të zhvillojnë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.
Në fokus të takimit do të jetë propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.
“Të hënën, më 27 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendës Presidenti Josep Borrell do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti konfirmuan pjesëmarrjen e tyre.
Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të jetë propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e lëshuar.
Kujtojmë se edhe Kosova, edhe Serbia tashmë kanë deklaruar se e kanë pranuar propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve.
Në anën tjetër ka një kërkesë urgjente e bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Kryeministri i Kosovës ka vënë gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të mund të themelohet. Deri më tani kushtet e Kurtit nuk i kanë komentuar as nga BE-ja e as nga SHBA-ja.
Kurti ditë më parë ka thënë së është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por vetëm për të biseduar për propozimin franko-gjerman.