Si i çmontoi hetimi i Mcgonical shpifjet kundër Bashës

Dy janë argumentet që janë përdorur pa asnjë fakt nga mercenarët e establishmentit të korruptuar të tranzicionit kundër Lul Bashës.

Argumenti i parë është që ai ishte dhe është në marrëveshje me Ramën. Kjo sipas tyre për faktin se ai është njeri i Sorosit dhe që si i tillë, rrjedhimisht do të ishte në marrëveshje me Ramën dhe marrëveshja e 17 majit përbënte sipas tyre provën kryesore që e vërtetonte këtë marrëveshje.

Ndësa argumenti i dytë, argumenti që po përdoret rëndom, sidomos tani pas daljes në dritë të skandalit Mcgonical, është teza që ai është marrë peng nga Rama, nëpërmjet shantazhit me anë të dosjes Muzin.

Perversioni logjik i atyre që artikulojnë tezën e parë zbulohet me një pyetje shumë të thjeshtë: nëse Lulzim Basha do të kishte bërë vërtetë marrëveshje, atëherë përse Rama duhet të përdorte Mcgonical për ta shantazhuar atë dhe më pas për ta marrë peng ?

Pra, sipas logjikës së këtyre nuk mjafton që Lul Basha na paska qenë në marrëveshje me bekimin e Sorosit, por duhet që të jetë edhe peng në mënyrë që Rama të vazhdojë plaçkitjen e Shqipërisë.

Në këtë rast, në mënyrë që argumenti i tyre të ketë valencë, duhet ndarë mendja, ose Basha është njeri i Sorosit dhe ka qenë në marrëveshje dhe kështu rrëzohet teza e marrjes peng, ose ai nuk ka qenë njeri i Sorosit dhe nuk ka pasur marrëveshje në 17 maj, ndaj është përdorur shantazhi për t’i bërë presion, sepse për një mendje normale të dyja nuk mund të qëndrojnë.

Argumenti i dytë , ai i marrjes peng filloi menjëherë të artikulohej pa asnjë fakt menjëherë pas skandalit Mcgonical, edhe pse qartazi në aktakuzën, për të cilin shkruhet e zeza mbi të bardhë që ky zyrtar, është përdorur nga kryeministri shqiptar për të hapur një hetim kundër Lul Bashës, me të njëjtën skemë që e majta Amerikane goditi Donald Trump si person i lidhur me Putinin, me qëllim diskretitimin e tij si të lidhur me Rusinë. (Edhe këtu duhet ndarë disi mendja ose Basha është i Sorosit , ose është i armikut më të madh të Sorosit, Vladimir Putin).

Kjo do të thotë që Rama ka përdorur influencën e Mcgonical për ta portretizuar liderin e opozitës z .Basha si të lidhur me Rusinë , dhe është pikërisht influenca e tij që ka prodhuar dhe strategjinë e DASH për të bllokuar ardhjen e PD në pushtet me argumentin se Lul Basha është marrë peng nga rusët dhe ardhja e tij në pushtet do të prodhonte menjëherë destabilitet për të gjithë rajonin, mbështetur kjo edhe nga ideja që PD doli hapur kundër projektit të John Bolton për ndarjen e kufijve të Kosovës.

Pra, është e qartë që Bolton, Reeker, Palmer, më pas Grennell, Escobar dhe Kim janë investuar zyrtarisht kundër ardhjes së PD në pushtet për shkak se ishin mashtruar nga Mcgonical në lidhje me informacionet që ai dërgonte në pozicionin e zyrtarit përgjegjës të SHBA-ve për influencën ruse.

Ishte pikërisht strategjia e DASH e ndërtuar në bazë të informacioneve të sajuara me para korrupsioni të Mcgonical që prodhoi dhe aktet e SHBA-ve që prodhuan bllokimin e ardhjes së PD në pushtet.

Ishte ndërhyrja e Mcgonical që prodhoi izolimin ndërkombëtar të PD, menjëherë pas hapjes së hetimeve pa fakte për dosjen Muzin pikërisht në kohën kur Berisha pretendon se i është prezantuar kjo dosje nga Donald Lu.

Ishin informacionet e rreme të Mcconigal që DASH u detyrua të shtonte presionin Amerikan mbi opozitën, që detyroi Opozitën që të digjte mandatet si një mënyrë për të ndërgjegjësuar opinionin ndërkombëtar në lidhje me komplotin që Rama kishte filluar të zbatonte kundër Opozitës.

Ishte pikërisht influenca e Mcgonical që i dërguari special i Presidentit Amerikan z. Mathew Palmer kërcënoi Lul Bashën dhe opozitën se do ta shpallte atë organizatë terroriste si asnjëherë më parë.

Ishte pikërisht influenca e Mcgonical që anuloi marrëveshjen e pesë qershorit, e cila u vulos në ambasadën Amerikane me miratimin e Sekretarit të Shtetit z. Mike Pompeo, që në fakt të gjithë e pranojmë që ishte edhe instrumenti kryesor që bllokoi rrotacionin dhe bllokoi fitoren e PD dhe Lul Bashës.

Është pikërisht fakti se Amerikanët u informuan dhe vetëdijësuan për këtë komplot se pse pas 25 prillit 2021 gati të gjithë zyrtarët më të lartë Amerikan për rajonin z. Philip Reeker, z. Gabriel Escobar dhe Ambasadorja Yuri Kim gati në formën e një kërkimfalje i ofruan nominalisht Lul Bashës dhe PD një “road map”, një zgjidhje që do ta sillte PD shumë shpejt në pushtet.

Kështu është e qartë që çdo pretendim kundër Lul Bashës dhe aksionit politik të PD 2017-2021, i cili është cilësuar nga të gjithë komentatorët politikë si aksioni më i ashpër dhe më i pakompromistë politik i këtyre 30 viteve, sepse prodhoi dy aktet më të forta politike të tranzicionit, jo vetëm që është poshtërim për rezistencën e pashoqe të demokratëve, por është sot aktualisht dëmi më i madh që po i bëhet PD dhe shërbimi më i vyer që po i zgjat jetën këtij regjimi tashmë të kalbur.

Nuk ka më as më të voglin dyshim që formula Amerikane për zhbllokimin e mekanizmit që ka marrë peng demokracinë , pra goditja e establishmentit të korruptuar të tranzicionit, është e vetmja zgjidhje për krizën e demokracisë shqiptare dhe të gjithë e dimë se nëse PD do të kishte ndjekur rrugën e ofruar nga SHBA-të , me goditjen që aktualisht po i bëhet Ramës, PD do të ishte sot alternativë qeverisëse dhe gati për të marrë frenat e pushtetit, ashtu siç tani të gjithë e dimë se kujt i kanë shërbyer dhe po i shërbejnë ata që ende po e refuzojnë formulën Amerikane për ardhjen e PD në pushtet.

Latest articles

Related articles