Ndërhyrja e policisë në biznesin e Agron Shehajt/ Meta: Sulm politik dhe terror policesk nga Rama!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për ndërhyrjen e policisë në biznesin e deputetit të PD-së, Agron Shehajt.

Në një postim në Facebook, Meta e konsideron ndërhyrjen e policisë si një sulm politik dhe terror që ushtron kryeministri ndaj bizneseve të ndershme.

Sipas Metës, qëllimi i kësaj ndërhyrje është intimidimi përmes policisë, i deputetëve të opozitës.

Ish-Presidenti Meta i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të heqë dorë nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.

Postimi i Ilir Metës:

Sulmet politike dhe terrori policesk i Edi Ramës kundër bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës janë një tjetër dëshmi e arbitraritetit dhe paligjshmërisë të bandës së “Rilindjes”.

Ndërkohë që shpall ministrat e tij si “investitorë strategjikë” dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së “Rilindjes” terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.

Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të përsëritur, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme.

Të vendosur në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen me çdo çmim të këtij regjimi mafioz!

Latest articles

Related articles