OPEC rishikon rritjen e kërkesës globale të naftës për vitin 2023

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) rishikoi rritjen e kërkesës globale për naftë për vitin 2023.

Sipas raportit më të fundit mujor të tregut të naftës të OPEC, të publikuar të martën, kërkesa për naftë do të rritet me 2.32 milionë fuçi në ditë (bpd) në 2023 për të arritur në 101.87 milionë fuçi në ditë, me disa rregullime të vogla në rritje për shkak të pritshmërive më të mira nga Kina pas rihapjes së saj nga kufizimet e COVID-19.

Në tremujorin e parë të vitit 2023, kërkesa globale për naftë parashikohet të rritet me 1.9 milionë fuçi në ditë në bazë vjetore si dhe me një rritje edhe më të madhe në tremujorët në vijim.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) parashikon një rritje në 350 mijë bpd për të arritur në 46.47 milionë bpd, ndërsa rritja në vendet jo anëtare të OECD-së pritet të jetë me 1.96 milion bpd në 55.4 milionë bpd.

Megjithatë, OPEC paralajmëroi se “ky parashikim është subjekt i shumë pasigurive, përfshirë aktivitetin ekonomik global, ndryshime të mundshme në politikën e Kinës për COVID-19 dhe zhvillimet e vazhdueshme gjeopolitike”.

Furnizimi global i naftës rritet në janar

Oferta globale e naftës në janar u rrit me rreth 600 mijë fuçi në ditë në bazë mujore, duke arritur mesatarisht 101.7 milionë fuçi në ditë. Kjo shënon një rritje prej 3.3 milionë fuçi në ditë krahasuar me vitin e kaluar.

Prodhimi i naftës së papërpunuar i OPEC-ut ishte mesatarisht 28.88 milionë fuçi në ditë në janar, që paraqet rënie në bazë mujore prej 49 mijë fuçi në ditë. Gjatë kësaj periudhe, prodhimi i naftës bruto në OPEC u rrit më së shumti në Nigeri, Angola dhe Kuvajt, ndërsa rënie të prodhimit pati Arabia Saudite, Iraku dhe Irani.

Pjesa e naftës së papërpunuar të OPEC-ut nga prodhimi total global shënoi rënie me 0.2 pikë përqindje në 28.4 për qind në janar krahasuar me muajin e kaluar.

Latest articles

Related articles