Portugali, zbulohen rreth 5 mijë raste të abuzimit seksual të fëmijëve nga priftërinjtë

Të paktën 4.815 fëmijë janë abuzuar seksualisht nga klerikët katolikë në Portugali që nga viti 1950, bëjnë të ditur anëtarët e një komiteti të pavarur.

Pas dëshmisë së 512 personave, koordinatori i hetimit Pedro Strecht tha se ky ishte numri minimal absolut i viktimave.

Duke folur për mediat, Strecht sqaroi se komiteti zbuloi se abuzimi seksual më së shpeshti kishte filluar menjëherë pas moshës 11-vjeçare të viktimave.

Ai zbuloi se shumica e abuzimeve ndodhën midis viteve 1960 dhe 1990, megjithëse dhjetëra abuzime ndodhën këtë shekull. Komiteti tha se do të dërgonte një listë prej 25 çështjesh në sistemin e drejtësisë portugeze, të cilat ende mund të ndiqen penalisht.

Hetimi nxjerr në pah se 96 për qind e abuzuesve ishin burra dhe 77 për qind priftërinj.

Karakteristika themelore e abuzimit është fuqia që dhunuesi ka mbi fëmijën. Në institucionet fetare ai vetëm sa përforcohet sepse marrëdhënia shpirtërore mes dhunuesit dhe fëmijës e bën fëmijën më të prekur“, tha psikiatri dhe anëtari i komisionit, Daniel Sampaio.

Ndërsa peshkopët katolikë më parë pranuan vetëm disa raste të abuzimit seksual në Portugali, Kisha Katolike mbështeti hetimin e pavarur.

“U kërkojmë të gjitha viktimave të na falin. Kjo është një plagë e hapur që na lëndon dhe na turpëron”, tha Jose Ornelas, presidenti i konferencës së peshkopëve portugezë, duke reaguar ndaj rezultateve të hetimit të shpallura në konferencën për media.

Ai tha se kisha portugeze kërkoi falje për se nuk ka dëgjuar viktimat, apo nuk ka gjetur mënyrë për të çrrënjosur abuzimin seksual në mënyrë interne.

“Kushdo që kryen abuzim ndaj fëmijëve duhet të mbajë pasojat e veprave të tyre civile, penale dhe morale” tha ai, duke shtuar se peshkopët do të mblidhen në mars për të diskutuar mënyra të reja për të parandaluar abuzimet në të ardhmen.

Ai tha se “nuk ka asgjë që mund të riparojë vuajtjet dhe poshtërimin” e shkaktuar nga dekada të abuzimit seksual, por tha se kisha do të punojë për të riparuar dëmet, pa specifikuar dëmshpërblimet.

Latest articles

Related articles