Policia e Sarandës ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me shpërthimin e fuqishëm në Sarandë që rrafshoi hotelin “Bizanti’. Në njoftim, policia bën me dije se hoteli është shembur si dhe janë dëmtuar banesa e godina përreth. Në njoftim shtohet gjithashtu se dy bashkëpronarët e këtij hoteli janë në proces gjyqësor dhe kjo është një nga pistat ku po hetohet për shpërthimin.
Njoftimi i policisë Sarandë: Rreth orës 05:55, në lagjen nr.1, Sarandë, në një hotel dy-katësh i ndërtuar që prej vitit 1996, në pronësi të shtetasve S. Ç., dhe E. Dh., ka shpërthyer një sasi lënde, e dyshuar eksplozive, ku si pasojë ndërtesa është rrëzuar dhe janë shkaktuar dëmtime të fasadave të objekteve në afërsi të objektit të rrëzuar. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për kapjen e autorit/ve. Menjëherë është ngritur një grupi i posaçëm hetimor me ekspertë më të mirë të DVP Vlorë dhe nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake rezulton se prej vitit 2002, dy bashkëpronarët janë në një proçes gjyqësor për pronësin e këtij hoteli.
Hotel ‘Bizanti’ u rrafshua këtë të hënë me një shpërthim me tritol. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur në orën 05:54. Mendohet se janë përdorur disa kilogramë tritol pasi shpërthimi i fortë ka dëmtuar dhe banesat e godinat rreth hotelit, deri në 300 metra distancë.