Nga Indrit Vokshi
Pas dështimit spektakolar të protestës së Sali Berishës e Ilir Metës, shumë njerëz dje e sot, gazetarë e komentatorë, po shkruajnë: “O Sali, i bëre njerëzit t’i marrë malli për Lulzim Bashën”, “Basha bënte protesta më të mëdha e më të egra”, “Kthehu Luli”, etj etj ..slogane.
Kur udhëhiqte Basha, atij i thonin: “I bëre njerëzit t’i marrë malli për Sali Berishën”, “Këto janë protesta të buta, të ishte Saliu e rrëzonte qeverinë”, “Nuk na kthente në shtëpi pa e rrëzuar” etj.
E gjitha kjo është tragjedia e komedia e një partie e cila nuk ka dëshirë dhe interes ta kuptojë se nuk ndryshohet qeveria me protesta në ketë mënyrë. Qeveria ndryshohet duke u bërë të pëlqyeshëm masivisht nga populli shqiptar. Duke të të votuar njerëzit.
Këta si opozitë, në televizor dhe në parlament, kanë nxjerrë persona mediokër të binomit “Berisha-Basha”, sepse nuk donin e nuk duan t’i japin pushtet dikujt jashtë këtij binomi pushtetor-ekonomik.
Shumë kompani me qëllim për tu zgjeruar dhe rritur fitimet, bëhen me bashkëpronarë. PD-në donin dhe duan ta mbajnë me një pronar të vetëm e absolut, brez pas brezi të trashëgueshëm – bajraku blu.
Ose si dyqani tek rruga e vjetër. I thonë pronarit dil se është hapur rruga e re, kalojnë njerëzit nga rruga e re tanimë. Jo – thotë pronari – nuk dua, në daçin të vijnë të blejnë këtu, në mos daçin, do shpresoj që të shembet rruga e re dhe të kalojnë përsëri nga e vjetra. Kjo mendësi e falimenton. E katandis pronarin me dyqan gati bosh, duke luajtur domino apo shah me bashkëmoshatarët e duke vrarë miza me pallaskë mizash.
Kjo është PD, strukturë rrangalle e lodhur e cila ska aftësi për të bërë ekspansion në shoqërinë shqiptare. Ekspansion nëpërmjet këmbimit: vlerat intelektuale, menaxheriale, organizative dhe përfaqësuese që disa njerëz mbartin, tua këmbejë e tua përkthejë në pozicione partiake e shtetërore. Jo, dëshiron të mbetet aty, parti e klientëve, shokëve dhe vasalëve të pronarit. Në qendër personazhe antipatike e qesharake, nëpër rrethe njerëzit e korruptuar të cilët nuk shkulen prej aty sepse u ka shijuar plaçka dhe duan ta kenë përsëri dhe.. Rama ik, jemi ngritur për të larguar të keqen (fraza bajate).
Shtroni pyetjen; A e trashëgoi Enveri PS-në? A pyeten familja e Enverit sot? Mund të kenë kuotat por nuk komandojnë ata. Po familja e Nanos, a pyeten në PS? Po Rama a do ta trashëgojë?
PD ka dështuar e do të dështojë sepse kemi një person i cili kërkon domosdoshmërisht ta trashëgojë si pronë pronë private e vetjake. Nuk i doli siç deshi trashgimtari i parë, lufton për të caktuar trashgimtar tjetër. Kur nuk arriti të parin nuk do të arrijë as të dytin. Kështu që ka dështim, derisa të shuhet ajo ambicie e ajo lëvizje për trashgimtar.