Real Madridi sërish “mbreti i botës”

Real Madridi e ka fituar për herë të pestë Kupën e Botës për Klube, që është rekord sa i përket klubeve.

Të shtunën mbrëma në stadiumin “Moulay Abdallah” në Marok, Reali mposhti 5:3 Al-Hilalin.

Reali e nisi mjaft mirë ndeshjen, duke shënuar dy gola për pesë minuta. Vinicius Junior (13’) dhe Fede Valverde (18’) realizuan për Los Blancos.

Al-Hilali ngushtoi epërsinë në minutën e 26-të me Moussa Maregan.

Ashtu si pjesën e parë, Reali e nisi me dy gola të shpejtë edhe të dytën. Karim Benzema në të 54-n e goli i dytë personal i Valverdes në të 58-n çuan rezultatin në 4:1.

Luciano Vietto (63’) shënoi për 4:2.

Vinicius me golin e dytë personal në të 69-n shënoi për 5:2, para se Vietto (79’) të vuloste rezultatin përfundimtar.

Përveç pesë trofeve të Kupës së Botës për Klube, Reali ka edhe tre trofe kur ky turne quhej Kupa Interkontinentale.

Chelsea ishte kampionia në fuqi.

Latest articles

Related articles