Nga Sebastian Zonja
Vëmendjen kryesore në Kosovë e ka marrë Asosacioni, ndërkohë nuk duhet harruar se vendi ndodhet në syrin e ciklonit, pasi diplomacia ruse dhe ajo serbe është hedhur në sulm.
Tensionet në Mesdhe janë të larta. Që se Rusia mori Krimenë, në 2014-ën, dhe i doli përball Turqisë, situata gjeopolitike ka marrë dinamikë tjetër.
Këto tensione, shto dhe ato mes dy vendeve anëtare të NATO-s, Greqi – Turqi, e bëjnë situatën të komplikuar dhe shpërthyese.
Ballkani vuan prej dekadash nga tensionet shovene serbomadhe, duke shtuar edhe cytjen ruse për përshkallëzim në veri të Kosovës apo në Bosnje. Ideale për sino-rusët do të ishte një konflikt mes NATO-s, turko-grek, por kjo kërkon analizë tjetër dhe vektorët e ndikimit janë më të gjerë, por jo pa ndikim ndër shqiptarë (në Greqi kemi emigracion të lartë dhe miqësi ndërsa me Turqinë aleancë strategjike).
Kjo është një panoramë e thjeshtë pse presioni amerikan është maksimal te Kurti për Asosacionin. Amerikanët japin garanci për integritetin territorial, ashtu si në Bosnje, por kur vjen puna te demokracia dhe situata brenda duhet t’i japësh udhë vetë.
Çfarë do bejmë?
Sa i përket kësaj lagjes sonë ballkanike, është e pafalshme që Prishtina nën qeverisjen e Kurtit është braktisur totalisht nga qeveria Rama, sepse kryeministri Rama zgjodhi me qenë ndërkombëtar përpara se të jetë kombëtar.
Tirana, për shkak të korrupsionit masiv, ka një ish-kryeministër non-grata dhe një tjetër të pashpallur ende, i cili e ka minuar demokracinë më rëndë se S. Berisha me tentativën për likuidimin total të opozitës vendase.
Nën egjidën e stabilokracisë kemi provuar me Ramën dhe Thaçin të lëshojmë shumëçka, por ja ku ndodhemi sot. Secili me arsye të ndryshme, por vumë re se shtetet shqiptare u bënë më të dobëta.
Thaçi, me gjithë lavdinë e luftës, me tezën e shkëmbimit të territoreve vuri në tavolinë shtetësinë e Kosovës.
Rama, me gjithë kozmopolitizmin e vet, duke larë krimet serbe me imazhin e të moderuarit Vuçiç, riktheu hegjemoninë serbomadhe në rajon.
Në Kosovë ka ende shpresë. Nuk e kemi provuar ndonjëherë të kushtëzojmë marrëveshje dhe kërkesa.
Për shembull, kur Maqedonia u fut në NATO, askush nuk e pengonte Tiranën zyrtare të kërkonte më shumë të drejta për shqiptarët. Ngjan se e dhamë veresie atë votë.
Sot, Kurti po kushtëzon Asosacionin. Është mirë të tregojmë dinjitet në diskutime. Fundja, amerikanët vetë na thonë se jemi sovranë në vendet dhe vendimet tona.
Shantazhi nuk kalon. Çështjet do zgjidhen dhe duhet të zgjidhen me diplomaci dhe dialog.
Për hir të stabilokracisë ballkanike nuk kemi pse ta kthejmë vendin në jofunksional, siç kemi bërë në Shqipëri, që për hir të stabilitetit kemi sakrifikuar demokracinë.
Ne duam demokraci që prodhon mirëqenie, e më pas stabilitet; aleatët sot duan stabilitet, për arsyet e tyre që i thonë shpesh, pastaj demokraci.
Le të zgjedhim demokracinë së pari, pastaj stabilitetin.