Kim: SHBA do i ofrojë Shqipërisë 50 milionë dollarë për sigurinë

Siguria kibernetike bëri bashkë aktorët kryesore të institucioneve vendase dhe të huaja për të koordinuar hapat që Shqipëria duhet të marrë ndaj këtij rreziku.

Numri dy i qeverisë Belinda Balluku tha se Shqipëria falë bashkëpunimit me partnerët e huaj, do të zbatojë masa mbrojtëse të standardeve më të larta për t’i paraprirë sulmeve të tilla.

Në policinë e shtetit do të ketë një njësi të specializuar vetëm për të monitoruar sistemet, ndërsa vendi ynë pritet të bëhet pjesë e një rrjetit agjencish ligjzbatuese ndërkombëtare që kanë si synim shkëmbimin e informacioneve.

“Sulmi që na ndodhi, le të themi që pati edhe këtë të “mirë” sepse ngriti alertin si kurrë më parë tek ne për t’u përqëndruar në garantimin e infrastrukturës dixhitale. Dhe jo vetëm kaq, por ky ishte alarmi edhe për një strategji të re, me burime njerëzore shumë më të kualifikuara dhe mentalitet që kupton sfidat e sigurisë kibernetike”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se do të ofrojnë mbështetje të vazhdueshme, jo vetëm teknike por edhe financiare. Ambasadorja Yuri Kim e vuri theksin tek stimulimi financiar ndaj punonjësve të këtij sektori si një hallkë e rëndësishme e procesit.

“Ju nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj sulmit kibernetik. Ne duhet të identifikojmë mbrojtjen tonë kolektive. 50 milionë dollarë në mbështetje të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë dhe kjo është vetëm fillimi”. Sulmet nga Irani dhe të tjerë do të vazhdojnë të jenë kërcënim edhe në të ardhmen, nuk do të zhduken. Ne duhet ta kemi parasysh këtë. Nuk ka një ‘plumb’ magjik për ta zhdukur”, tha ambasadorja Kim.

Gjatë muajit korrik, Shqipëria u godit nga një sulm kibernetik që paralizoi shërbimet publike. Shumë të dhëna të qytetarëve shqiptarë tashmë janë publike si pasojë e këtij sulmi, i cili zyrtarisht është i organizuar nga Irani, e me të cilin Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.

Latest articles

Related articles