Ukraina po përgatitet për ofensivën e re ruse

Kievi garanton se ka fuqi ta ndalojë sulmin, ndonëse nuk kanë mbërritur të gjitha armatimet perëndimore

Ukraina pret një ofensivë të re ruse më vonë këtë muaj. Ministri i Mbrojtjes OleksiyReznikov tha se jo të gjitha armatimet perëndimore do të kenë mbërritur deri atëherë, por Ukraina ka rezerva të mjaftueshme për të mbajtur larg forcat ruse.

Ai shtoi se Ukraina ka negociuar me sukses edhe furnizimin me raketa të reja me rreze të gjatë.

Presidenti Volodymyr Zelenskytha se trupat e tij po përballen me luftime të ashpra në Bakhmut, Vuhledar dhe Lyman në lindje të Ukrainës.

Ministri Reznikov tha se Rusia nuk i ka të gjitha burimet e saj gati për të nisur një ofensivë, por mund ta bëjë këtë gjithsesi si një gjest simbolik, duke pasur parasysh përvjetorin e parë të pushtimit më 24 Shkurt.

Duket se Rusia ka prioritet marrjen e të gjithë rajonit të Donbasit si dhe nisjen e ofensivës në jug dhe në lindje të Ukrainës për të krijuar një korridor tokësor në të gjitha zonat që ajo aktualisht mban të pushtuar.

Ministri i Mbrojtjes konfirmoi gjithashtu se trupat do të fillojnë nga e hëna stërvitjen për manovrimin e tankeve ‘Leopard’ të prodhimit gjerman.

Reznikov siguroi se raketat e reja të Ukrainës me rreze të gjatë prej deri në 150 km, nuk do të përdoren kundër territorit rus, por vetëm kundër njësive ruse në zonat e pushtuara.

“Jam i sigurt se ne do ta fitojmë këtë luftë“, tha z. Reznikov, por shtoi se pa dorëzimin e avionëve luftarakë perëndimorë, “fitorja do të na kushtojë më shumë jetë”.

Pavarësisht fluksit të armëve perëndimore në Ukrainë, Rusia ka bërë disa përfitime rreth zonës së Bakhmut ditët e fundit. Grupi mercenar paraushtarak i Rusisë Wagner ka udhëhequr pjesën më të madhe të luftimeve në zonë.

Forcat ruse janë përpjekur të marrin kontrollin e Bakhmut për muaj të tërë, duke e bërë atë betejën më të gjatë që kur Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.

Gjatë luftimeve dy raketa ruse goditën qendrën e Kharkivit në verilindje të Ukrainës, njëra prej raketave goditi një ndërtesë banimi. Autoritetet vendore thanë se të paktën tre vetë u plagosën.

Latest articles

Related articles