Psikologji | Sa rëndësi ka përfshirja e babait në jetën e një fëmije?

Po jetojmë në një moment historik e shoqëror krejtësisht të ri, plot potencial interesant për figurën e babait. Deri në shekullin e kaluar babai ishte një figurë që mungonte thelbësisht në rrugën e rritjes së fëmijëve dhe roli edukativ i të cilit luhej në thelb nëpërmjet urdhërave dhe ndëshkimeve (kush nuk e mban mend frazën tipike të nënës që qetësonte në çast shpirtrat: “Nëse nuk pushoni, sonte do t`i them babit!”). Fëmijët kishin frikë nga babai i tyre, i cili me qortimet dhe ndëshkimet e tij ngjallte ndjenja faji dhe shpesh edhe distancë emocionale.

Por koha e baba-padron ka mbaruar, autoritarizmi ka humbur legjitimitetin dhe interesin: ne pyesnim se si të rikuperojmë marrëdhëniet e sinqerta, intime me fëmijët tanë, me synimin për të rritur fëmijë më të qetë. Sot baballarët janë më të pranishëm në jetën e fëmijëve të tyre dhe janë në kërkim të mënyrës së duhur “atërore” për t’i ndihmuar ata të rriten.

Por edhe baballarët kanë nevojë për mbështetje

Në përgjithësi, në kulturën tonë, nënat janë të rrethuara nga më shumë vëmendje dhe mbështje se sa baballarët në rrugën drejt prindërimit të tyre specifik. Që në fillim, që në momentin kur çifti kupton se është në pritje të një fëmije, të gjithë (prindërit, familjarët, miqtë, të afërmit, kolegët, shitësit, të njohurit…) janë të interesuar vetëm për atë që ndodh me gruan, ndërsa zakonisht askush nuk i vë re ndryshimet dhe përvojat që shqetësojnë burrin.

Të qënit baba mund të frikësojë!

Është e kuptueshme që kjo ndodh: tek gruaja, duke filluar nga trupi dhe fiziologjia e saj, ndodhin ndryshimet më domethënëse. Është ajo, që mes të dyve, që do të jetë më e ngarkuar, për arsye biologjike, por edhe për shkak të lidhjes me fëmijën. Por kjo nuk duhet të çojë në një mungesë totale të interesit për atë që i ndodh mashkullit.

Kështu, që në fillim, dhe zakonisht për disa vite, baballarët e gjejnë veten krejtësisht të vetëm në përballjen e transformimeve që sjell situata e tyre e re. Ata nuk mund të mbështeten as tek atributet e tyre, as në rezonancën, as në mbështetjen e askujt. Rreth të bërit baba dhe të qenit baba duket se krijohet një lloj lidhje shkretëtire. Edhe kur rrëfejnë me entuziazëm dhe përvojën e tyre të atësisë, e bëjnë këtë duke përshkruar, ndoshta pa dashje, vetminë e tyre ekstreme.

Ashtu si nënat, edhe ata kanë frikë, fantazi për fëmijën, ëndrra për t’u bërë baba, frikë nga pamjaftueshmëria, nevoja për ndarje dhe siguri. Edhe për ta, gjendja e re e prindërimit kërkon ndryshime rrënjësore në sensin e vetes, në stilin e jetës, në rolet sociale dhe në këndvështrimet personale dhe ato në çift. Por askush përreth nuk duket se e vëren këtë apo i jep rëndësi. Shumë shpesh, madje as partnerja.

Çfarë thonë hulumtimet për rolin e babait

Sipas disa kërkimeve, prania e babait bën të gjithë diferencën në edukimin dhe rritjen e një fëmije. Këtë e bënë të ditur katër studiues që botuan në revistën skandinave “Acta Paediatrica” rezultatet e një analize të të gjithë literaturës së disponueshme për këtë temë deri në vitin 2007.

Nga cilat elemente përbëhet përfshirja e babait?

Studimet përfshinë në ekzaminim rreth 22.300 të mitur të moshave të ndryshme. Elementi i monitoruar ishte “përfshirja e babait”, një term teknik që përcakton tre kushte thelbësore:

-bashkëjetesën e babait në shtëpinë ku jeton fëmija
-pjesëmarrjen në aktivitete argëtuese, stimuluese, afektive (duke luajtur, lexim, të vënit në gjumë, eksplorimi social)
-përgjegjësitë dhe funksionet e kujdesit (garantimi i cilësisë së jetës së fëmijës nëpërmjet aktivitetit të punës dhe garantimi i kujdesit dhe ndihmës së nevojshme mjekësore në kohë nevoje për fëmijën)

Në fakt, është parë se përfshirja e babait në jetën e një fëmije zvogëlon problemet e sjelljes në moshën e adoleshencës, përmirëson funksionimin social si gjatë fëmijërisë po ashtu edhe në adoleshencë; mund të sigurojë rezultate më të mira në shkollë.

Një prani që bën diferencën

Në veçanti, fëmijët meshkujt përfitojnë nga prania e një babai që bashkëjeton me ta, duke shfaqur sjellje më pak agresive. Në familjet pa vështirësi financiare, të jetuarit me një baba të përfshirë redukton ndjeshëm problemet e sjelljes në vitet e para të ndjekjes së shkollës. Përfshirja më e madhe e babait në familjet e varfra, nga ana tjetër, mund të ulë shpeshtësinë e sjelljeve antisociale gjatë adoleshencës. Për adoleshentët që kanë shfaqur tashmë nivele intensive të sjelljes antisociale, përfshirja më e madhe e babait luan një faktor mbrojtës përgjatë një deri në dy vitet e ardhshme.

Në përgjithësi, studimi konfirmon se përfshirja e babait redukton shpeshtësinë e problemeve të sjelljes tek meshkujt dhe problemet emocionale-psikologjike tek adoleshentët dhe vajzat e reja; ai gjithashtu përforcon zhvillimin konjitiv dhe redukton sjelljen antisociale gjatë gjithë moshës së zhvillimit. Rezultatet që dolën sigurisht nuk janë befasuese, por gjithsesi meritojnë të raportohen. Prania e një babai shumë të përfshirë bën diferencën, dhe ne e dimë këtë tani. Çështja është se si të përfshiheni. Por kjo është çështje tjetër. /Psicoadvisor/

Ana Maria Sepe, psikologe, eksperte dhe studiuese e psikanalizës.

Përgatiti:S.Tresa

Latest articles

Related articles