Dëshmia e pastrueses që çoi pas prangave ish-zyrtaren e Kryeministrisë Alda Klosin (E PLOTË)

Grabitja në banesën e ish-zyrtares së Kryeministrisë Alda Klosit, mori përmasa të mëdha , për shkak të shumës së lartë të parave për të cilën bëhej fjalë.

Ishin, Rozeta dhe Havier Dobin, nënë e bir të akuzuar për vjedhjen e sasive të mëdha të parave në banesën e ish zyrtares, Klosi, prej më shumë se 120 mijë eurove, por pas një kontrolli të dytë në banesën e Rozeta Dobit e cila prej vitesh punonte si pastruese u zbuluan 404 mijë euro të tjera, duke shkaktuar një valë reagimesh.

Ndërkohë, vetëm mbrëmjen e të premtes (03.02.2023), u bë arrestimi i Alda Klosit, kjo pas dëshmisë prej disa orësh të dhënë nga pastruesja Rozeta Dobi.

Dëshmi e cila zgjati nga ora 10:00 deri në orën 17:00 në ambientet e Policisë së Tiranës.

Dobi deklaroi se edhe shuma tjetër e parave e gjetur në tubin e aspirimit në banesë, i përkisnin Alda Klosit.

Rozeta Dobi që akuzohet për vjedhjen e 120 mijë eurove, pranoi të bashkëpunojë me policinë, duke i dorëzuar drejtësisë Alda Klosin.

Pastruesja ishte në qendër të vëmendjes për shumat marramendëse të gjetura në apartamentin e ish-zyrtares.

Dobi tregoi me detaje gjithçka që prej nisjes së punës për Klosin deri te arrestimi.

Sakaq ish-zyrtarja e Kryeministrisë akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.

DËSHMIA E ROZETA DOBIT

Gazetarja Klodiana Lala zbardhi për “BalkanWeb” dëshminë e plotë të Rozeta Dobit në polici, dëshmi e cila solli edhe arrestimin e ish-zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi.

“Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku. Aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha. I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën dhe i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve. Shpesh Alda lëvizte para, unë nuk kam prekur asgjë. Kur shkoi te apartamenti te ‘Rruga e Kosovarëve’ që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për ti sistemuar më vonë.
Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 mln lekë të vjetra. Shuma prej 25 700 eurosh që janë gjetur te komoja e krevatit janë para të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte”, ka deklaruar Alda Klosi.

Ajo nuk identifikon persona apo zyrtarë të tjerë për paratë e gjetura në shtëpinë e Alda Klosit.
Rozeta Dobi e ndihmoi grupin e hetimit dhe e çoi te ish-zyrtarja teksa mund të jetë vetë Alda Klosi që të çojë në hetime më të gjera sa iu përket parave të sekuestruara.

Policia e Tiranës dha gjithashtu sqarime rreth arrestimit të ish-zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi.

Sipas Policisë së Tiranës Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Ndërkohë vetë Prokuroria e Tiranës mbrëmjen e të premtes reagoi lidhur me rastin e Alda Klosit, duke theksuar se hetimet në lidhje me rastin ishin në vijim për të vënë përpara drejtësisë çdo të përfshirë.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:

“Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve R. D., dhe H. D.

Procedim penal i mësipër,m është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve”, është vjedhur banesa e shtetases A.K. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit R. D. dhe H. D., ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal.

Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të”, thuhej në njoftim.

Pasuria e Alda Klosit/ Hyri në administratë me një apartament 47 m2 dhe doli me disa apartamente pas 6 vitesh

News24 siguroi deklaratat e pasurisë së Alda Klosit që nga dita ku ajo u emërua në administratën e lartë shtetërore në 2016, si drejtore në ministrinë e Financave.

Atë vit zonja Klosi kishte një pasuri modeste, bashkëpronare me të shoqin Altin Klosi në një apartament prej 47m2 katrorë në Tiranë, me vlerë 2,5 milion lekë, një automjet “Toyota Yaris” i vlerësuar 180 mijë lekë dhe disa llogari bankare me vlera të ulëta ose të papërfillshme, prej 7 eurosh apo 3,8 dollarësh.

Ndërsa i bashkëshorti kishte dhe një truall prej 1000 m2 katrore në periferi të Tiranës me vlerë 9 milion lekë, ku përfshihet dhe një ndërtim prej rreth 90 m2. Një vit më pas Alda dhe Altin Klosi blenë një apartament në Tiranë prej 72 metrash katrorë me vlerë rreth 32 mijë euro, financuar pjesërisht nga një kredi prej 2 milion lekësh, 950 mijë lekë të tjera i kanë marrë borxh dhe nga një garanci financiare të një prone me qira. Në vitet e tjera pasuria e Alda Klosit nuk ka pësuar ndryshime të mëdha. Por në 2021 Alda Klosi tashmë e divorcuar papritur bëhet e pronare e dy apartamenteve banimi në Lezhë, me vlerë gati 8 milion lekë që të dy. Po në këtë vit Alda Klosi shlyen kredinë e marrë në 2017 për blerjen e apartamentit në Tiranë, dhe bëhet pronare me te drejta të plota. Kurse në vitin e fundit 2022 Alda Klosi deklaron se ka përfituar tre pasuri si trashëgimi ligjore nga familja. Por teksa ka deklaruar pronat e marra nga trashëgimia, ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë për të paktën 120 mijë eurot e vjedhura në shtëpi. Megjithëse thotë se shuma e vjedhur është për kurimin e xhaxhait, ajo kishte si detyrim ligjor ta raportonte si gjendje cash në shtëpi.

Latest articles

Related articles