Transhumanizmi – si u vu në pikëpyetje natyra njerëzore. Ese e filozofit Edgar Morin

Nga Edgar Morin, Filozof

Në vitet 1980 shfaqet transhumanizmi, i cili vë në pikëpyetje natyrën njerëzore, si dhe natyrën e shoqërisë, me synimin për t’i transformuar ato. Ai rimerr mitin që kriza ekologjike dukej sikur po e mënjanonte në mënyrë përfundimtare, atë të sundimit të botës prej njeriut. Transhumanizmi çon drejt një metamorfoze antroplogjike, ku njerëzorja do të bëhej njëherazi tejnjerëzore, mbinjerëzore dhe pasnjerëzore. Duke u mbështetur mbi mundësitë e reja të ndërhyrjes biologjike (qelizat burimore, modifikimi i AND-së dhe i telomerëve, organet artificiale), transhumanizmi parashikon një zgjatje të jetës pa pleqëri. Mirëpo kjo zgjatje nuk mund të jetë e pakufishme dhe të kthehet në pavdekësi, sepse njerëzit nuk do të mund të zhdukin dot as viruset, as bakteriet, as aksidentet dhe as katastrofat e natyrës. Vdekja mund të zmbrapset, por është e pamundur të mposhtet.
Për më tepër, a mund t’u lihet sipërmarrjeve shkencore, që kanë në themel të tyre fitimin, e drejta për të krijuar, nëpërmjet manipulimeve gjenetike, specimenë pasnjerëzorë të rrezikshëm? Këto orvatje shegertësh magjistarë mund të krijonin përbindsha.
Miti tjetër transhumanist është ai i një shoqërie që funksionon në mënyrë të harmonishme nëpërmjet inteligjencës artificiale që shmang çdo çrregullim. Mirëpo shmangia e çrregullimit përjashton çdo nismë dhe çdo mundësi krijuese. Rregulli i paqortueshëm është rregulli i pamëshirshëm.
Sundimi i inteligjencës artificiale mbi shoqërinë njerëzore do të ishte ai i Matriks-it: makineria e madhe anonime që përcakton sjelljet e individëve. Rreziku nuk vjen prej robotëve, por prej rrezikut që njerëzit po bëhen robotë.
Krejt filozofia transhumaniste maskon problemin e vërtetë të njerëzimit, i cili nuk duhet parë në rritjen sasiore të fuqive të tij, por në përmirësimin cilësor të kushteve të jetesës si dhe të marrëdhënieve njerëzore. Sfida themelore nuk është ndryshimi i natyrës njerëzore, por të frenohet më e keqja dhe të favorizohet më e mira. Transhumanizmi shmang domosdoshmërinë e parë, atë të ripërtëritjes së humanizmit.
Krahas tij, dallga neoliberale ka vërshuar në botën tonë qysh prej viteve 1980. Mondializimi tekno-ekonomik, i quajtur globalizim, kryhet nën drejtimin e saj në fund të shekullit XX-të. Neoliberalizmi i mondializuar nuk është gjë tjetër veçse pushteti mbizotërues i mondializuar i fitimit. Tashmë planeti i është nënshtruar këtij pushteti që shkakton njëherazi katastrofa ekologjike dhe robërimin e popullsive, duke nxitur revolta të shumëfishta, por gjithmonë të shtypura me dhunë.
Ka dalë pra në pah se epoka e re bashkon ngushtësisht fatin e Tokës me fatin e Jetës si dhe të Njerëzimit në të gjitha fushat. Ajo përmban brenda saj njëherazi rrezikun vdekjeprurës dhe perspektivën e metamorfozës.
Ka dalë gjithashtu në pah se motori kryesor i kësaj ecurie kërcënuese është shfrenimi i papëmbajtur i shkaktuar nga trinia shkencë-teknikë-ekonomi, e vënë në lëvizje përherë e më tepër nga sundimi i pangopur i fitimit, si dhe nga energjia e pamëshirshme e shteteve.
Ka dalë në pah se përparimi sjell me vete dhe hisen e tij të regreseve dhe të katastrofave.
Ka dalë në pah se tepria e fuqisë çon në një tepri pafuqishmërie.
Ka dalë në pah se po këto forca shkatërruese shkaktojnë një regres politik dhe social të përgjithësuar në shkallë botërore, si dhe në krizën e demokracisë me pasojë krijimin e shteteve neo-autoritariste dhe/ose të ndërvarura nga interesat financiare.
Pandemia: kriza në zemër të njerëzimit
Pikërisht në këto kushte u shfaq pandemia Covid-19, që shkaktoi një krizë sanitare botërore, me pasojë shtimin e krizave të ndërvarura dhe ndërvepruese që prekin gjithë përvojën njerëzore, duke filluar nga shëndeti i individit, marrëdhënia me tjetrin, me punën, me jetën e përditshme, jetën ekonomike, sociale dhe politike të kombeve, deri dhe në tërësinë e botës sonë. Kjo krizë zbulon se ndërvartësitë e mondializimit tekno-ekonomik nuk kanë sjellë kurrfarë solidariteti; ajo vë në pikëpyetje problemet e autonomisë dhe të varësisë së kombeve. Në të njëjtën kohë, ajo përmbyll fatin e përbashkët të njerëzimit përballë rrezikut dhe kërcënimit të një krize gjiganteske të përbashkët, por sidoqoftë pa një ndërgjegjësim për këtë fat të përbashkët. Përkundrazi, angështitë që lindin prej krizës kolosale çojnë në tërheqje identitare brenda vetes, si dhe në akuzat e padrejta ndaj të tjerëve. Pavetëdija dhe somnambulizmi mbizotërojnë.
Tashmë ne ndodhemi në zemër të krizës dhe kriza gjendet në zemër të njerëzimit.

[Përktheu: Ilia Lëngu]

Latest articles

Related articles