Si të përdorni “paradoksin e Solomonit” për t’i dhënë vetes këshilla të mira për jetën

E keni më të lehtë të zgjidhni problemet e miqve tuaj sesa tuajat? Ky paradoks vlen për ju.
Mbreti Solomon është sinonim i mençurisë dhe këshillave të shkëlqyera. Por në çështjet e tij personale, ai ishte tepër dritëshkurtër. Historia e tij ka krijuar konceptin e paradoksit të Solomonit. Studimet kanë vërtetuar se ne jemi shumë më të mirë në dhënien e këshillave racionale dhe të dobishme njerëzve të tjerë se sa vetes – ne jemi shumë më ekspertë kur jemi të distancuar nga një situatë. Këtu ne ofrojmë tre truke për të shfrytëzuar mençurinë e paradoksit të Solomonit.
Kur jeni duke lexuar një libër apo duke parë një program televiziv, shpesh është më e lehtë të kuptosh pse gjërat po shkojnë keq mes personazheve.
“Pse thjesht nuk tregohen të sinqertë me njëri-tjetrin?” bërtasim ne nga divani i shtëpisë ndërkohë që protagonistët grinden (përsëri) për shkak të një keqkuptimi krejtësisht të shmangshëm.
“Ajo duhet ta lërë atë”, themi ne, ndërsa një personazh femër duron një të dashur që e abuzon atë emocionalisht.
“Ai thjesht duhet t’i thotë shefit të tij të pirdhet,” ngulmojmë të themi kur lexojmë për dikë që lufton me rutinën e përditshme të një pune që të ha shpirtin.
Fakti është se ne jemi ekspertë kur bëhet fjalë për t’u dhënë këshilla njerëzve të tjerë. Shumica prej nesh, deri në një farë mase, e dinë se çfarë është e mirë për njerëzit. Ne e dimë se si duhet të jetë një jetë e mirë. Ju ndoshta tashmë e dini se çfarë ushqimi duhet të hani dhe cilat zakone duhet të zhvilloni. E megjithatë ne kemi dy qasje të ndryshme. Ne u themi miqve të bëjnë gjëra që nuk i bëjmë kurrë vetë. Ne kritikojmë personazhet televizive që bëjnë gjëra të cilat ne i kemi bërë në mëngjes.
Pse? Sepse kjo ka të bëjë ccuditërisht me injorimin që ne i bëjmë pjesës së vetë-reflektim. Nëse doni ta mposhtni, ndoshta është koha të merrni parasysh paradoksin e Solomonit. Njohja e sekreteve të tij mund t’ju ndihmojë.

Mbreti i urtë Solomon
Mbreti Solomon i Izraelit të lashtë ishte i njohur në mbarë botën për mençurinë dhe drejtësinë e tij. Mbretëria e tij ishte më e pasura dhe më paqësorja që ishte parë ndonjëherë. Një ditë, dy gra u shfaqën duke i paraqitur Solomonit një problem: Të dyja pretendonin se ishin nëna të së njëjtës foshnje.
Meqenëse asnjë mbret i lashtë nuk e mbante oborrin pa armë, Solomoni nxori shpatën dhe tha: “Unë do ta pres këtë fëmijë në dysh, kështu që të dyja do të merni pjesën që ju takon.” E tmerruar, nëna e vërtetë e fëmijës i ra në gjunjë mbretit, duke iu lutur t`ia kursente jetën fëmijës dhe t`ia jepte gruas tjetër mashtruese. Solomoni mundi të shihte se cila ishte nëna e vërtetë dhe ia dha asaj foshnjën.
Mbreti Solomon është legjendar për mençurinë e tij. Emri i tij është sinonim i mbretërimit të mirë. Megjithatë, në jetën e tij, ai ishte shumë kaotik. Prindërimi i tij i dobët rriti një nga tiranët më mizorë në Bibël, djalin e tij, Roboamin, i cili e transformoi Judën në një dishepull të neveritshëm dhe mëkatar. Solomoni kishte shumë gra dhe konkubina pagane, dhe shumë fëmijë të paligjshëm. Ai ishte i shthurur dhe ekstravagant, dhe i kushtonte pak vëmendje jetës së përmbajtur e të arsyeshme. Me gjithë mendjemprehtësinë e tij kur bëhej fjalë për hallet e të tjerëve, kur bëhej fjalë për të tijat, Solomoni ishte mjerisht miop.

Paradoksi i Solomonit
Në vitin 2014, një punim nga psikologët Igor Grossman dhe Ethan Kross prezantoi idenë e paradoksit të Solomonit. Hulumtimi i tyre zbuloi dy gjëra. Njëra ishte se njerëzit “shfaqin arsyetim më të mençur… për problemet e një personi tjetër në krahasim me problemet e tyre”. Me fjalë të tjera, ekziston një paragjykim konjitiv dhe social që është i përhapur, që do të thotë se ne jemi shumë më tw aftë në përballimin e jetëve dhe problemeve të njerëzve të tjerë sesa tonat. Së dyti, Grossman dhe Kross vunë në dukje se kur përpiqemi të eliminojmë vetë-zhytjen – me fjalë të tjera, kur përpiqemi të distancohemi nga problemet tona – në njëfarë mënyre jemi më të aftë në marrjen e vendimeve të arsyeshme.
Në të gjitha studimet që kanë vazhduar për ta vërtetuar këtë (dhe kjo është vërtetuar vazhdimisht), ne gjejmë në literaturë diskutimin e dy llojeve të ndryshme të mençurisë. Nga njëra anë, ne kemi mençurinë e përgjithshme, e cila thuhet se është ndërpersonale, mes jush dhe dikujt jashtë jush. Nga ana tjetër, ne kemi mençuri personale, e cila është ndwrpersonale, mes jush dhe punëve tuaja.
Ekziston një debat interesant filozofik dhe shkencor për marrëdhëniet midis të dyjave. Ne kemi qartazi raste të njerëzve që janë të mençur në të dyja llojet e mençurisë. Mbreti Solomon kishte mençuri të përgjithshme, për shembull. Ne njohim gjithashtu njerëz që janë të zgjuar dhe të ndjeshëm, por të tmerrshëm në dhënien e këshillave. Por cilët faktorë i lidhin të dyja?
Dallimi midis mençurisë së përgjithshme dhe asaj personale duhet të shërbejë si një kujtesë e dobishme kundër sulmeve ad hominem (ku ne kritikojmë karakterin e dikujt dhe jo idetë e tij). Në fund të fundit, dikush si Mbreti Solomon mund të jetë shumë i mençur në disa gjëra, por budalla në punët e tij. “Bëj si them unë, jo si bëj unë” është një pozicion logjikisht i vlefshëm. Në të vërtetë, sipas psikologjisë, ajo që themi është shpesh më e mirë se ajo që bëjmë.

Mënyrat për të distancuar veten
Pra, paradoksi i Solomonit na mëson se nëse duam t’i japim vetes këshilla të mira, duhet të bëjmë një hap prapa. Nëse duam të bëjmë hapa pozitivë në përmirësimin e asaj që jemi, duhet t`i trajtojmë jetët tonë si personazhet e një libri. Këtu janë tre mënyra se si mund ta bëjmë këtë:

Flisni me veten tuaj
Ndoshta në fillim do të ndiheni si idiot, kështu që do të dëshironi ta bëni këtë vetëm dhe në një hapësirë ​​të sigurt. Vendosni një karrige të zbrazët para jush ose thjesht shikoni veten në pasqyrë … dhe flisni me veten. Imagjinoni se jeni një terapist dhe se personi në pasqyrë është klienti juaj. Imagjinoni që jeni një kritik, dhe karrigia bosh është një personazh filmi. Bëni dy pyetje për të filluar: “Pse po e bën këtë?” dhe “Çfarë mund të bëj për të tw ndihmuar?”

Ditari
Për ata që kanë një tolerancë të ulët ndaj zemërimit dhe nuk mund të flasin me veten nw kwtw mwnyrw, provoni t’i shkruani gjërat. Gjeni një kohë të ditës që funksionon për ju dhe shkruani atë që ndodhi gjatë ditës ose javës. Pastaj tërhiquni për pak kohë. Lexoni atë që keni shkruar sikur të jeni duke lexuar një libër. Çfarë këshille do t’i jepnit vetes nga ajo që keni lexuar. Sigurisht, kjo nuk do të funksionojë për probleme të menjëhershme – kjo kërkon kohë – por rileximi i shënimeve në ditar është shpesh po aq i rëndësishëm sa edhe shkrimi i tyre.

Identifikohu me dikë tjetër
Pyetni dikë që ju njeh mirë, një të afërm të ngushtë ose mikun më të mirë, se me kë mendojnë ata se ju ngjani më shumë. Mund të jetë një personazh televiziv, një figurë historike, apo edhe një lidhje tjetër e ndërsjellë. Përpiquni të mësoni sa më shumë që të mundeni për atë person dhe shikoni se çfarë këshillash do t’i jepnit. Mundohuni të shihni se çfarë shkoi mirë në jetën e tyre dhe çfarë shkoi keq. Natyrisht, nuk ka dy njerëz të ngjashëm, por ky lloj identifikimi në vetën e tretë është shpesh një teknikë e dobishme distancimi.
Pra, çfarë lloj urtësie keni? Jeni personalisht shumë i arsyeshëm, por jepni këshilla të tmerrshme, apo jeni më shumë si Mbreti Solomon – një ekspert kur bëhet fjalë për të tjerët, por një amator i ngathët kur bëhet fjalë për veten tuaj? /BigThink/

Shënim:Jonny Thomson profesor filozofie në Oksford.
Përgatiti:S.Tresa

Latest articles

Related articles