Deklarata e Saimir Korreshit në Ora News se Gazment Bardhi i është drejtuar me shkresë Berishës për bashkimin e PD bëri zhurmë të madhe.
Por vetë autori i shkresës sqaroi po në Ora News me gazetarin Everest Dedaj se kolegu i tij deputet i është referuar platformës së tre muajve më parë.Bardhi: I referohet asaj platfome që unë i kam dërguar kolegëve të pjesës tjetër gjatë kohës kur negocioja me zotin Paloka.
Përtej atij diskutimi, Bardhi tha se përpjekje kanë qenë dhe janë të vazhdueshme për të gjetur një formulë për zgjedhjet e 14 majit.
Bardhi: Patjetër, është një shqetësim i përbashët i çdo pjese brenda PD, përballja që kemi me 14 maj me të vetmin kundërshtar tonin politik që është Edi Rama. Në këtë kuptim në asnjë moment nuk janë ndalur përpjekjet për të gjetur zgjidhje.
Secili prej nesh brenda grupit parlamentar është i ndërgjegjshëm se copëzimi i alternativës së opozitës e dobëson alternativën opozitare dhe në këtë kuptim secili prej nesh ka bërë përpjekje dhe bën përpjekje të vazhdueshme , duke filluar nga kreu i grupit Alibeaj dhe secili prej nesh, por besoj dhe nga grupimi tjetër duke përfshirë Berishën, sesi mund të gjejmë një formulë që përballë kundërshtarit tonë politik në zgjedhjet lokale të kemi një alternativë të unifikuar që është fituese. Vetëm kështu i shërbejmë PD.
Nëse ka vullnet për të gjetur një zgjidhje mund të ketë jo një por 1000 formula që mund të zgjidhin shqetësimin për zgjedhjet lokale. Qëndrimi jonë ka qenë terësisht parimor. Kemi ato probleme që kemi brenda partisë Demokratike por kjo nuk duhet të jetë e ndërlidhur me zgjedhjet lokale. Përballja me kundërshtarin na afron secilin prej nesh pavarësisht qëndrimeve që kemi për PD për të cilën askush prej nesh nuk ka ndryshuar as qëndrim dhe as opinion.
Por ai nënvizoi se nuk mjafton përpjekja e vetëm njërës palë porse duhet një vullnet i përbashkët që të çojë drejt zgjidhjes.
Bardhi: Jam i sigurt se ky vullnet ekziston, të paktën konfirmoj që nga pala jonë ekziston. Zgjidhja është gjithmonë e afërt.
I pyetur nëse janë të gatshëm të lëvizin nga platforma që i kanë propozuar Rithemelimit të Berishës 3 muaj më parë, ai u përgjigj:
Bardhi: Edhe kur e kam propozuar nuk ka qenë një dokument apo platformë e ngurtë, pra ose nëse ne binim dakord për ato që unë kiisha propozuar ose nuk kishe zgjidhje tjetër. Ishte një pikënisje për të pasur një dialog mbi disa baza, disa parime transparente mbi çfarë po bisedohej. Për fat të keq nuk gjeti mbështetje të menjëhershme nga grupimi që drejtohet nga zoti Berisha. E konsideroj si një shans të humbur sepse do të kishim fituar shumë kohë që nga ai moment. Megjithatë është diçka e tejkaluar, është një bazë që mund të përmirësohet. Mund të ketë një formulë tjetër që mund të propozohet. Nuk është e domosdoshme apo nuk ekziston një formulë e vetme. Nëse ka vullnet mund të ketë 1000 formula.