Një vrasës, i dënuar në Itali, që është pjesë e një prej organizatave më të fuqishme mafioze të vendit, është zbuluar duke punuar si picier dhe është arrestuar pas 16 vitesh në arrati.
Bëhet fjalë për Edgardo Greco, 63 vjeç, i cili akuzohet se i përket organizatës famëkeqe ‘Ndrangheta’, një bandë e fuqishme mafioze në Kalabri, në Italinë jugore.
Interpoli tha se ai u arrestua të enjten në qytetin francez të Saint-Etienne, ku ai kishte hapur si biznes një restorant italian duke u fshehur pas një pseudonimi, sipas prokurorëve francezë.
I përshkruar si një “i arratisur i rrezikshëm”, Greco kërkohej në Itali për të vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasjen e Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo, tha Interpol në një deklaratë të enjten.
Në Saint-Etienne në qershor 2021, Greco u bë pronar i një restoranti italian të quajtur Caffe Rossini Ristorante, duke e drejtuar atë deri në nëntor 2021, thanë prokurorët francezë.
Sipas dokumenteve që ka parë Agence France-Presse, ai ka përdorur emrin Paolo Dimitrio dhe ka punuar gjithashtu në restorante të tjera italiane në qytet.
Greco gjithashtu punonte mbrëmjeve si picier, sipas mediave italiane.
Ndrangheta konsiderohej grupi mafioz më i gjerë dhe më i fuqishëm i Italisë, tha Interpoli, që vepronte në mbarë botën dhe me lidhje të forta me tregtinë e kokainës që shkonte në Evropë nga Amerika e Jugut.