Kryeministri i korrigjoi me kompetencë gazetarët, harroi pikën 42 të akt-akuzës së FBI


Nga Dorian Kodra

Kryeministri i korrigjoi me kompetencë gazetarët që cituan pasaktësisht akt-akuzën e prokurorisë amerikane për McGonigal. Për dy orë rresht, nga njëra studio në tjetrën u kërkoi të ishin të kujdesshëm dhe nuk lejoi asnjë lapsus, asnjë pasaktësi nga çfarë është shkruar. Nga përgjigjet që dha, Rama tregoi se jo vetëm e kishte lexuar me detaje dosjen, por qe i gatshëm të bënte edhe krahasime datash për takimet me McGonigal.

Madje Rama përsëriti në tre studio të njëjtën përgjigje, të përgatitur me mjeshtëri paraprakisht, për një nga momentet kyçe të marrëdhënies së tij me McGonigal, atë që ka të bëjë me informacionet që dolën nga zyra e kryeimnistrisë për hetimin e Bashës.

Por kryeministri e humbi memorien papritur, kur u pyet për të dhënat e paragrafit 42. Rama iu përgjigj pyetjeve me pyetje, duke folur kuturu mbi atë pjesë të akt-akuzës, në të cilin thuhet se Personi B, (të cilin Rama e ka prezantuar si këshilltarin e tij personal) i serviri FBI-së dëshmitarët e çështjes së hetimit për lobimin e Bashës në SHBA. Për më tepër, këshilltari i kryeministrit pagoi udhëtimet e dëshmitarëve në Europë.

Nëse shton këtu edhe faktin se informacionet që inicuan të hetimin dolën nga zyra e kryeministrisë (paragrafi 40), atëherë rezulton se McGonigal kreu një shërbim të vyer për kryeministrin e Shqipërisë.

Pyetja është se si ia shpërbleu kryeministria McGonigal-it këtë shërbim dhe përse në parkingun e një restoranti?

Latest articles

Related articles